Cikalleshi “shlyen” dënimin turk. Ndëshkon Selmanin

SPORT


Dy golat me kombëtaren e kanë rikthyer Sokol Cikalleshin, jo vetëm titullar me skuadrën e Akhisarsporit, por edhe protagonist. Sulmuesi i kombëtares ka shënuar golin e vetëm dhe të fitores për ekipin e tij në Turqi, në ndeshjen që luajti kundër skuadrës Menemen, ekip ku aktivizohet portieri i kuqezinjve, Gentian Selmani.

Cikalleshi e nisi titullar takimi, por goli erdhi vetëm pesë minuta para përfundimit të ndeshjes. Ishte skuadra e Akhisarsporti, që në minutën e 85-të fitoi një penallti, ndërsa gjuajtja iu besua Sokol Cikalleshit. Sulmuesi, përballë Gentian Selmanit, nuk gaboi. Gjuan me të djathtën dhe dërgon topin në rrjetë.

Ndërkohë, ish-portieri i Laçit nuk ka lëvizur fare nga vendi, pasi gjuajtja e Cikalleshit ka qenë e fortë. Me tre pikët e fituara të dielën, skuadra e Sokol Cikalleshit shkon në kuotën e 7 pikëve pas katër javësh kampionat në Ligën 2 të futbollit në Turqi, ndërsa skuadra e Gentian Selmanit mbetet në vendin e 15 me 4 pikë.

Kujtojmë se Sokol Cikalleshi kthehet si titullar me ekipin turk pas disa problemeve që pati me skuadrën. Ai nuk u stërvit për disa kohë me grupin, ndërsa klubi, pas shkëlqimit në kombëtare, ka menduar të rikthejë Cikalleshin në ekip, rikthim të cilin kavajasi e ka shpërblyer me gol.



Skip to toolbar