Botuesi dhe analisti Henri Çili hodhi akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë, teksa doli në një konferencë për shtyp për të sqaruar të vërtetën e arrestimit të tij. Çili tha se kemi një sistem skandaloz drejtësie, dhe se drejtësia është në gjendje alarmante, për të cilën duhen shqetësuar të gjithë shqiptarët. Duke u shprehur se nuk është viktimë e politikës, botuesi hodhi poshtë të gjitha akuzat që Prokuroria ka ngritur ndaj tij, duke shtuar se SPAK do të nxjerrë të vërtetën.
“Dhurimi i 2 njësive të shërbimit nga sipërmarrësi Seit Fishta është bërë me vullnet të lirë, janë paguar taksat. Kemi folur me Fishtën për ide dhe projekte. Kam marrë shkas nga një prej klientëve të mi, por konteksti dhe dhurimi nuk lidhen fare. Hapat e mëtejshëm, sigurisht që do apeloj masën ‘detyrim paraqitje’, do kërkoj pafajësinë dhe dëmshpërblimin. Si qytetar, unë mendoj se çdo shkelje e ligjit duhet të marrë dënimin e merituar, aq më tepër vrasja e një polici në krye të detyrës, por kjo duhet bërë në respektim të ligjit. Nuk jam viktimë e ndonjë procesi politik,, nuk jam i bindur se çështja duhet drejtuar politikisht. Kemi të bëjmë me një sistem skandaloz drejtësie. Gjyqtarët që kanë dhënë vendimin janë të pakaluar në vettingu, kemi një protagonizëm të sëmurë drejtësie. Kjo çështje nuk shërben si bilanc i luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.” – ka deklaruar Çili.
Pyetjes se a ka besim tek SPAK, botuesi Henri Çili i është përgjigjur se nuk ka asnjë informacion që të jetë viktimë e një procesi politik. “Është shumë mirë që çështja ka ardhur në SPAK, ku të paktën do ta shohim, kemi tepër besim në profesionalizimin, kompetencën dhe minimalisht kemi prokurorë ose gjykatës të vettuar. Jam i bindur për pafajësinë time dhe sistemi do ta konfirmojë këtë, sepse e gjitha ndërtohet mbi diçka që nuk ekziston. Kur një Gjykatë e Lartë nuk ekziston është absurde të mendohet ushtrimi i ndikimit tim. Është logjike të kërkohet përshpejtimi i çështjeve nga studiot ligjore. Por, unë nuk kam takuar askënd për asgjë. Unë do përpiqesha që ajo të ishte çështja e parë e Gjykatës së Lartë.” – u shpreh Çili.