Ç’ka mbetur nga Hamasi dhe a është afër fundi i luftës

BOTA


Hamasi ka humbur shumë liderë të tij edhe në të kaluarën, por pas çdo prerje koke është shfaqur edhe më i vendosur dhe ka vijuar luftën me armikun. Sigurisht, atëherë ata kishin kontrollin e territorit ndërsa sot Gaza është e shkatërruar, me popullsinë e zhvendosur në disa cepa. Ka mbi 40 mijë të vdekur.

Reagimi i Izraelit ishte i ashpër pas masakrës së 7 tetorit të një viti më parë. Një ofensivë që minoi krahun e armatosur, e dobësoi thellësisht, por ende nuk e ka mposhtur. Nga ana tjetër, zhdukja e liderit mund të ketë pasoja serioze, veçanërisht nëse ai ka pasur pushtet të centralizuar dhe kishte qenë pothuajse i vetëm në krye.

Kush drejton tani?

Javët e fundit, shërbimet sekrete besojnë se menaxhimi i militantëve është në duart e Mohammed Sinwar, vëllait të numrit “një”, Yahya Sinwar. I lindur në vitin 1975 në Khan Younis, i arrestuar në ’91 nga izraelitët dhe më pas i liruar pas 9 muajsh, Mohammed u bë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të komandantëve të “Brigadave al Kassam”, përkrah Saad al Arabid dhe Mohammed Deif.

Me kalimin e kohës, ai kishte rritur ndjeshëm peshën e tij duke demonstruar aftësi për të “kopsitur” marrëdhënie me grupet e tjera palestineze dhe egjiptiane. Fundi tragjik i shumë anëtarëve të hierarkisë së Hamasit, i kombinuar me punën që ai bëri, e ngjiti Muhamedin më lart.

Sipas disa vëzhguesve, ai ka qëndrime ekstreme, të ngjashme me ato të Jahjas. Ai “ruan” edhe zinxhirët e pengjeve. Panorama e drejtuesve të Hamasit plotësohet nga përfaqësuesit e diasporës, Khaled Meshal, Khalil al Haya dhe Musa Abu Marzouk.

Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) pretendon se ka likuiduar shumicën e atyre që ishin përgjegjës për 5 brigadat, 24 batalionet dhe 140 kompanitë që përbënin organizatën. Pothuajse çdo javë, zëdhënësit e ushtrisë izraelite tregonin emrin dhe pozicionin e oficerëve apo individualë të eliminuar. Ata u eliminuan nga dronë, avionë të motorizuar, raketa, aktivitete sekrete. Një listë me qindra identitete.

Krerët e Hamasit ishin trajnuar që të kryenin operacione për të penguar armikun. Objektivi i tyre ishte shkaktimi i humbjeve, përdorimi i pengjeve si shantazh, detyrimi i Netanyahut për të pranuar një armëpushim, shkaktimi i një konflikti total me përfshirjen e Iranit, i cili tani ka humbur një partner tjetër në të cilin kishte investuar.

Hamasi, në letër, mund të llogariste në 30 mijë anëtarë, përfshirë milici dhe vullnetarë me kohë të plotë. Izraelitët pretendojnë se kanë neutralizuar rreth 17 mijë, plus 1 mijë të vrarë brenda shtetit hebre më 7 tetor dhe në ditët në vijim gjatë ripushtimit të kibucit. Të paktën 22 batalione, sipas IDF nuk janë më batalione.

Një vlerësim i CIA-s që daton në maj beson se Hamasi ka pësuar një reduktim prej 30 deri në 35% në potencialin e rij, që do të thotë se ende shumë mbetet në duart e liderëve. Në fakt, ne e kemi parë këtë në mënyrë të përsëritur muajt e fundit, me izraelitët të detyruar të rikthehen në zonat që ata i konsideronin “të rikuperuara”.

Lëvizshmëria, përdorimi i rrënojave si vendqëndrime, kamuflimi, pajisjet e lehta rezultuan të mjaftueshme për të mbajtur zjarrin të ndezur. Deri më sot ata kanë lëshuar rreth 14 mijë raketa nga rreth 30 mijë që kishin në furnizime. Dhe pastaj tunelet. Zgjatja e tyre e vërtetë është një “mister”. Në fillim flitej për 500 kilometra dhe tani ka nga ata që hipotezojnë dyfishin e saj. IDF pretenduar shkatërrimin në 80%, por muxhahedinët vazhdojnë të dalin nga tunelet për të qëlluar tanket izraelite.

Fronti i Libanit

Fronti i Gazës po pasqyrohet edhe në Frontin e Libanit. Hezbollahu ka përjetuar tashmë në një mënyrë edhe më traumatike, zhdukjen e lidershipit të tij. Ai u lëkund për disa ditë, përjetoi momente hutimi, por megjithatë u kthye me forcën e saj, dukshëm më të fortë se ajo e Hamasit, edhe sepse ka mbështetje konkrete dhe të mundshme nga Irani dhe milicitë e tjera shiite (nga Iraku, Jemeni, Siria).

Ata nuk mund të kryejnë sulme, por synojnë ta bëjnë Izraelin të mos jetojë në normalitetit. Javët e ardhshme do të jenë prova të një krize ku siguritë janë shembur. Dhe ne do të kemi indikacione nëse sukseset ushtarake të Izraelit do të çojnë në një pikë kthese, siç shpresojnë shumë, apo nëse ato do të jenë fillimi i një faze tjetër të një lufte të pafund. 



Skip to toolbar