Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton dha një azhurnim të gjendjes së tij shëndetësore të mërkurën, duke thënë në një video të postuar në Twitter se ai është “në rrugën e rimëkëmbjes”.
Në video, Clinton falënderoi dashamirësit e tij dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor për mbështetjen e tyre ndërsa ai ishte shtruar në spital (University of California, Irvine Medical Center for sepsis).
“Jam vërtet i lumtur që jam kthyer në shtëpi. Unë ndihem mirë, duke shijuar këtë mot të bukur vjeshte. Jam në rrugën e rimëkëmbjes, por dua t’i kujtoj të gjithëve atje jashtë që të marrin kohë për të dëgjuar trupin e tyre dhe kujdesuni për veten”, tha Clinton.
“Ne të gjithë kemi punë për të bërë dhe secili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në jetë dhe në të ardhmen e afërt. Unë, për shembull, do të bëj çmos që të jem rreth e rrotull, të vazhdoj të bëj më të mirën që mundem për një kohë shumë më gjatë”, shtoi ai.
Kur u njoftua shtrimi në spital i Clinton javën e kaluar, mjekët e tij Alpesh Amin dhe Lisa Bardack thanë se ai ishte përgjigjur mirë ndaj antibiotikëve.
“Pas dy ditësh trajtimi, numri i rruazave të bardha të gjakut po zvogëlohet dhe ai po i përgjigjet mirë antibiotikëve”, shtuan ata.
“Ekipi mjekësor me bazë në Kaliforni ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ekipin mjekësor të Presidentit në Nju Jork, përfshirë kardiologun e tij. Shpresojmë që ai të kthehet në shtëpi së shpejti”, thanë ata në atë kohë. Ish-presidenti e la spitalin të dielen, dhe mjeku i tij Amin tha se Clinton, 75 vjeç, do të përfundonte trajtimin e tij të antibiotikëve në shtëpi në Nju Jork.