Aksioni ndaj informalitetit ka liruar edhe
1000 m2 të tjerë sipërfaqe të vijës bregdetare të “pushtuara” nga shezlongët,
çadrat dhe karriget e paligjshme të bizneseve private.
Aksioni i policisë është përqendruar në lirimin
e hapësirave publike në Qerret dhe Spille, ku janë sekuestruar 200 komplete çadra
e shezlongë që kishin zënë hapësirat në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu kanë përfunduar në ndjekje penale përfaqësuesit
e subjekteve që kishin zënë hapësirat, përkatësisht shtetasit A.B. dhe E.H., të
cilët akuzohen për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”
dhe “Pushtimi i tokës”.
Policia gjithashtu ka çuar në ndjekje penale
edhe zyrtarët e tatim-taksave në Bashkinë Kavajë për shpërdorim detyre, pasi kanë lejuar këto biznese
të ushtronin aktivitet në mënyrë të kundërligjshme.
Akuzat për procedim penal ndaj tyre janë bërë
edhe gjatë operacionit “Plazh i Lirë”
të zhvilluar në Golem dhe në vijim.
Policia ka nisur një aksion të fuqishëm për të goditur informalitetin dhe ka liruar një hapësirë të madhe publike në vijën bregdetare nga veriu deri në jug të vendit duke ia kthyer atë qytetarëve.