CNN: Administrata Trump nënvlerësoi rrezikun e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani

BOTA


Pentagoni dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare e nënvlerësuan ndjeshëm gatishmërinë e Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të sulmeve ushtarake amerikane, ndërsa planifikonin operacionin në vazhdim. Kjo është raportuar nga CNN, duke cituar burime të shumta të njohura me çështjen, sipas të cilave ekipi i sigurisë kombëtare i Presidentit Donald Trump dështoi të merrte plotësisht parasysh pasojat e mundshme të asaj që disa zyrtarë e kanë përshkruar si skenarin më të keq me të cilin përballet tani administrata.

Edhe pse zyrtarë nga Departamenti i Energjisë dhe ai i Thesarit morën pjesë në disa takime përpara nisjes së operacionit, analizat e tyre nuk patën peshën e zakonshme që kishin në administratat e mëparshme.

Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Sekretari i Energjisë Chris Ëright kanë qenë lojtarë kyç gjatë gjithë fazave të planifikimit dhe ekzekutimit të konfliktit, por sipas burimeve të CNN, vendimmarrja u ndikua kryesisht nga një rreth i ngushtë këshilltarësh të presidentit Trump, duke kufizuar debatet ndërinstitucionale mbi pasojat e mundshme ekonomike nëse Irani do t’u përgjigjej sulmeve SHBA-Izrael duke mbyllur ngushticën.

Ndërkohë, situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar. Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se mund të duhen javë para se masat për të zbutur ndikimin ekonomik të krizës të japin rezultate. Një nga opsionet e diskutuara është shoqërimi ushtarak i cisternave të naftës përmes ngushticës, por Pentagoni e konsideron aktualisht këtë operacion shumë të rrezikshëm.

Ekspertë të ekonomisë, energjisë dhe drejtues të industrisë së transportit detar kanë shprehur habi dhe shqetësim për mungesën e planifikimit.

Një ish-zyrtar amerikan theksoi se parandalimi i një skenari të tillë ka qenë për dekada një nga parimet kryesore të politikës së sigurisë kombëtare të SHBA-së. Megjithatë, sipas disa zyrtarëve të administratës Trump, ekzistonte bindja se një mbyllje e Ngushticës së Hormuzit do të dëmtonte më shumë Iranin sesa vetë Shtetet e Bashkuara..



Skip to toolbar