Gazetari dhe analisti ekonomik Fatos Çoçoli komentoi nivelin e pagave të magjistratëve në Shqipëri, duke theksuar se ato janë aktualisht më të larta se mesatarja e vendeve të Ballkanit dhe të krahasueshme me një vend anëtar të Bashkimit Europian si Greqia.
I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Çoçoli u shpreh se pagat e magjistratëve shqiptarë janë rreth 25% më të larta se ato të homologëve bullgarë dhe mbi nivelin e magjistratëve rumunë, pavarësisht diferencës së madhe në të ardhurat për frymë mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së.
Sipas tij, megjithëse rritja e pagave lidhet me garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, ky nivel pagesash shkon përtej mundësive reale të buxhetit të vendit, duke pasur parasysh se Shqipëria ka të ardhura për frymë rreth tre herë më të ulëta se Greqia.Çoçoli theksoi se mbetet e rëndësishme që kjo pagesë të justifikohet nga profesionalizmi dhe cilësia e punës së magjistratëve, ndërsa shtoi se nuk mund të japë një vlerësim mbi aspektin juridik të performancës së tyre.
“Për momentin që flasim ky nivel i pagës së magjistratëve, paga mesatare e tyre sot që flasim është më e lartë se paga mesatare e vende të Ballkanit. Është më e lartë se niveli i magjistratëve rumunë, 25% më shumë se e magjistratëve bullgarëve, është në një nivel të ngjashëm me një vend të zhvilluar të një vendi anëtarë të BE, Greqisë. Gjykoj si ekonomist, që morali, që përkundër sakrificave të buxhetit duke vlerësuar pavarësinë e tyre, do të ishte mirë që sot vlerësohen me paga barabartë me vendet e BE do të ishte një moral publik i plotësuar.
Të mos harrojmë që Greqia i ka të ardhurat për frymë 27 mijë euro, ne i kemi në nivelin e 9 mijë eurove për frymë, tani që flasim. E kemi tre herë më pak se Greqia, po magjistratët i paguajmë njësoj. Uroj që të jenë realisht profesionistë të punës që ta meritojnë këtë pagë. Çfarë kërkohet?! Është diçka më tej nga sa janë mundësitë reale të buxhetit tonë. Nuk mund të diskutoj për cilësinë e magjistratëve, sepse nuk kam jurist. Unë si qytetar jamë ndjerë shumë i fyer nga kërkesa e tyre”, tha Çoçoli.
