Fatos TARIFA
Pardje, në moshën 84 vjeçare, u nda nga jeta Colin Powell, një ndër personalitetet më të shquar të politikës dhe të diplomacisë amerikane dhe asaj botërore gjatë më shumë se tre dekadave të fundit. Këshilltar i Presidentit Ronald Reagan për Sigurinë Kombëtare (1987-1989), Shef i Shtabeve të Bashkuar të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në administratat e presidentëve George H. W. Bush dhe Bill Clinton (1989-1993) dhe Sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara (2001-2005) në administratën e Presidentit George W. Bush, Colin Powell zë një vend të veçantë në jetën e amerikanëve dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë politike të Shteteve të Bashkuara, dhe në marrëdhëniet e superfuqisë së vetme të globit me shoqërinë ndërkombëtare. Në cilësinë e Sekretarit të Shtetit, Colin Powell vizitoi Tiranën në 2 maj të vitit 2003 duke nënshkruar me qeverinë shqiptare dy marrëveshje shumë të rëndësishme. Gazeta DITA boton me këtë rast, si një homazh për këtë njeri të shquar, fragmente nga libri me kujtime “Afrimi i madh”, që pritet të botohet së shpejti, i diplomatit tonë të njohur, Prof. Fatos Tarifa, i cili përfaqësoi Shqipërinë si ambasador i saj në Shtetet e Bashkuara në të njëjtën periudhë katërvjeçare që Colin Powell shërbeu si Sekretar i Shtetit. Këto fragmente nga diplomati shqiptar që e ka njohur Colin Powell-in më mirë se kushdo tjetër në këtë vend, të cilat, duke filluar nga dje, botohen për herë të parë, bëjnë fjalë pikërisht për vizitën e Sekretarit Powell në Tiranë, të cilën vetë Powell e ka cilësuar si “një akt miqësie” dhe, pas kthimit në Uashington, ka thënë për atë vizitë se ishte “një kënaqësi e kulluar”.
Pjesa e dytë
Të nesërmen paradite, më 1 maj (2003), Paige Reffe dhe unë u pritëm në zyrën e tij nga Presidenti Moisiu. Presidentin e shoqëronte, si gjithnjë, këshilltari i tij diplomatik Muhamet Kapllani. Takimi me të nuk zgjati shumë. Thjesht e informuam kreun e shtetit mbi detajet e vizitës së Sekretarit Powell një ditë më pas, duke i shpjeguar se ai, si President i vendit, ishte i pari që do e priste mysafirin e nderuar nga Uashingtoni. Paige i tha Presidentit Moisiu se i vetmi shqetësim që kishin ai dhe ambasadori Jeffrey ishte përpikmëria e kohëzgjatjes së atij takimi, i cili do të ishte plot 30 minuta dhe s’duhej të zgjaste asnjë minutë më shumë, pasi çdo vonesë do të shkurtonte kohën e takimeve dhe të veprimtarive të tjera të planifikuara për atë vizitë 3-orëshe.
Duke vënë re fytyrën e vrenjtur dhe, ndoshta, të pakënaqur të Presidentit Moisiu ndërsa Paige i bënte atë sqarim logjistik, arrita të tërheq vëmendjen e këtij të fundit me një prekje të lehtë të brrylit. Paige më kuptoi dhe, aty për aty, shtoi:
“Sigurisht, zoti President, një sqarim i tillë do të ishte i panevojshëm për dikë si ju, një general, për të cilin disiplina dhe rregulli janë mënyrë jetese. Por, kjo është detyra ime dhe këtë detyrë e kam kryer për vite me radhë duke organizuar dhjetra udhëtime e vizita për Presidentin Clinton dhe duke i sugjeruar atij se çfarë duhej të bënte dhe për sa kohë. Kjo ishte detyra për të cilën paguhesha në Shtëpinë e Bardhë. Dhe Presidenti gjthnjë më dëgjonte”.
Veçse, këtë herë, Paige po ia thoshte ato fjalë një presidenti shqiptar dhe çehrja e fytyrës së tij më la të kuptoja se Presidentit Moisiu nuk i kishte pëlqyer që ai “gringo”, pra një amerikan, po e këshillonte për takimin e nesërm me Sekretarin Powell. Në një situatë të tillë, e pashë të udhës të ndërhyja:
“Paige”, iu drejtova konsulentit tonë të mençur strategjik në Washington, të cilin kreu i shtetit e shihte për herë të parë. “Nesër do të takohen dy gjeneralë—Gjenerali Powell dhe Gjenerali Moisiu—dhe dy gjeneralë e dinë më mirë se kushdo tjetër rëndësinë që ka përpikmëria në kohë në ushtrimin e detyrës”.
Fytyra e Presidentin Moisiu ndërroi çehre dhe, si rrallë herë më parë, e pashë të buzëqeshë. Duket se kisha prekur një kordë të ndieshme tek ai dhe Paige reagoi menjëherë.
“Unë nuk kam as më të voglin dyshim”, iu drejtua ai Presidentit Moisiu, “se takimi juaj me Sekretarin Powell do të jetë i shkëlqyer. Në Uashington e dinë se ju, z. President, keni qenë dhe jeni një ndër mbështetësit më entuziastë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe askush më mirë se ju nuk do të diskutonte me Sekretarin Powell për këtë çështje. Nënshkrimi prej tij i Kartës së Adriatikut në Tiranë nesër pasdite është një ngjarje e madhe për vendin tuaj dhe për mbarë rajonin”.
Presidenti Moisiu i miratoi ato fjalë dhe dukej tashmë më i relaksuar. U ndamë me të në një mënyrë miqësore.
Për drekë na kishte ftuar ministri i jashtëm Ilir Meta. Veç tij dhe Edmond Haxhinastos, të cilin Meta e mbante përherë pranë vetes, të ftuarit ishim ambasadori Jeffrey, Paige dhe unë. Biseda u përqendrua e tëra në vizitën e Sekretarit Powell ditën e nesërme. Meta e priti mirë idenë e propozuar nga Paige, të cilën, për të evituar çdo dyshim të mundshëm, ia komunikoi ambasadori amerikan. Nga ana e tij, Paige vuri në dukje se, nga pikëpamja e marrëdhënieve me publikun, shëtitja e z. Meta me Sekretarin Powell në bulevard do të bënte më shumë përshtypje dhe do të kishte një efekt shumë më të madh në publik sesa një takim formal me dyer të mbyllura në zyrën e tij. Të gjithë ishim dakord me këtë.
* * *
Në orën 18:00 po atë ditë, Paige dhe unë u takuam me Kryeministrin Nano në zyrën e tij. Në atë takim ishte i pranishëm edhe Agim Isaku. Këtë herë ishim veshur “casual” dhe biseda ishte krejt informale dhe shumë e lirshme. Në fakt, ajo i ngjante më shumë një prove teatrale para një shfaqjeje të rëndësishme.
Shumë lexues mund të mos e dinë se, edhe brenda Shtëpisë e Bardhë, në krahun lindor të saj, ka një sallë të vogël shfaqjesh, e cila, përveçse shërben si një sallë kinemaje për pjesëtarët e familjes së Presidentit dhe stafin më të afërt të tij, shërben, gjithashtu, edhe si një sallë ku presidentët bëjnë prova para se ata të mbajnë një fjalim të rëndësishëm. Një fjalim i tillë, fjala vjen, është ai që çdo president amerikan mban para të dyja dhomave të Kongresit në fillim të çdo viti, i njohur si “State of the Union Address”. Mbajtja e një fjalimi të tillë, në të cilin Presidenti dëshmon para Kongresit mbi gjendjen e vendit, është një detyrim kushtetues për çdo president të Shteteve të Bashkuara dhe, prandaj, përgatitja për atë fjalim është shumë e rëndësishme. Thuasje çdo president bën prova para se ta mbajë atë fjalim, të cilin e shohin live jo vetëm 535 anëtarët e Kongresit amerikan, ambasadorët e akredituar në Ushington dhe disa dhjetra të ftuar, por qindra milionë njerëz në të katër anët e globit. Gjatë provave në Shtëpinë e Bardhë, presidenti instruktohet se si t’i shprehë emocionet e veta, si të komunikojë me publikun në mënyrë joverbale, ç’veshje të zgjedhë me atë rast etj.
Ndërkaq, nuk është sekret për askënd se rrallë ka ndodhur që një president amerikan t’i shkruajë vetë fjalimet e tij. Për t’i “përkthyer” në fjalë idetë e një presidenti dhe ato të bashkëpunëtorëve të tij të afërt punësohen fjalimshkrues profesionistë, “speechwriters”. Presidenti Reagan kishte 9 “speechwriters” që shkruanin fjalimet e tij, Presidenti Clinton kishte 8 të tillë. Gjatë kohës që unë shërbeva në Uashington dhe më pas, fjalimet e Presidentin George W. Bush i shkruanin, në varësi të subjektit të tyre, 10 “speechwriters”. Edhe Presidenti Barack Obama, i cili konsiderohet si një ndër oratorët më të mirë që ka drejtuar Shtëpinë e Bardhë, kishte 6 njerëz që shkruanin fjalimet e tij, ndërsa Presidenti Trump kishte 3 të tillë. Pjesë e Zyrës Ekzekutive të Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe një rol i veçantë në të është edhe ai që quhet “White House Director of Speechwriting”. Personi që e drejton atë zyrë është një ndër këshilltarët kryesorë të Presidentit dhe shkruesi kryesor i fjalimeve të tij.
* * *
Kthehem përsëri në takimin me Kryeministrin Nano në pasditen e 1 majit 2003. Gjithçka që diskutuam ai, Paige dhe unë atë pasdite lidhej me takimin e ditës së nesërme me Sekretarin e Shtetit dhe nënshkrimin prej tyre të marrëveshjes dypalëshe.
Paige dhe Nano kishin krijuar tashmë një marrëdhënie shumë të ngrohtë mes tyre, e cila bazohej në respektin dhe besimin e ndërsjellë që kishin për njëri-tjetrin. Megjithatë, atë pasdite, sado që përpiqej, Nano nuk e fshihte dot emocionin me të cilin dukej se e priste takimin e nesërm me Sekretarin Powell. Në një moment gjatë bisedës, Paige iu drejtuar kryeministrit me këto fjalë:
“Fatos, koha që do të keni nesër në takimin me Sekretarin Powell para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes është e kufizuar, prandaj, më dëgjo me vëmendje. Janë disa gjëra që Sekretari Powell pret t’i dëgjojë nga ju dhe ju duhet t’ia thoni”.
“Po të dëgjoj, Paige”, i tha Nano.
“E para gjë që duhet t’i thoni, pasi t’i uroni mirëseardhjen”, vijoi Paige, “mendoj se është kjo: Administrata e Presidentit Bush ka qenë nxitësja kryesore për zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndomor dhe vizita e fundit e Sekretarit Powell në Beograd dhe kjo vizitë në Tiranë dëshmojnë rëndësinë që i kushtojnë Shtetet e Bashkuara këtij rajoni”.
Nano e dëgjonte me vëmendje.
“Më tej mund t’i thoni se, një luftëtar për paqen, si Colin Powell, e di mjaft mirë rëndësisë që kanë Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor jo vetëm për stabilitetin rajonal, por edhe për sigurinë dhe paqen në mbarë Europën. Mund t’i thoni, gjithashtu”, vijoi Paige, “se ju e çmoni që ai, pra Sekretari Powell, ka qenë dhe është një mbështetës i vendosur i vizionit të Presidentit Bush për krijimin e një Europe të pandarë, të lirë dhe në paqe dhe se Shqipëria dëshiron të luajë rolin e vet për të qenë pjesë e këtij realiteti”.
Ndryshe nga Presidenti Moisiu në takimin e asaj paraditeje, Kryeministri Nano dëgjonte me durim dhe vëmendje. Unë nuk vura re asnjë shenjë besdisjeje tek ai.
“Mund t’i thoni”, vijoi më tej Paige, “se ju e çmoni shumë rolin konstruktiv që ka luajtur dhe luan Sekretari Powell për t’i ndihmuar Shqipërinë dhe vendet e tjerë të rajonit që të konsolidohen si vende demokratikë dhe të forcojnë marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, mund t’i thoni se kjo vizitë e Sekretarit të Shtetit në Tiranë dhe nënshkrimi i Kartës së Adriatikut në kryeqytetin shqiptar dëshmojnë jo vetëm angazhimin e tij personal, por edhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’i ndihmuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë që të integrohen në institucionet euro-atlantike”.
Kjo ishte, në fakt, gjuha që përdorej dhe pëlqehej në atë kohë në Uashington dhe ne, ambasadorët e vendeve të grupit Vilnius-10, e kishim bërë atë gjuhën e punës në veprimtarinë tonë diplomatike të përditshme.
“Sigurisht”, tha Paige, “ju do i përmendni Sekretarit Powell vendosmërinë e qeverisë suaj që, ashtu si deri më sot, do të jeni përkrah Shteteve të Bashkuara, aleatit tuaj strategjik kryesor, në luftën kundër terrorizmit dhe se ushtarët tuaj do të luftojnë përkrah ushtarëve amerikanë në Afganistan dhe në Irak. Sekretari e ka lexuar shkrimin tuaj në Boston Globe në shkurt të këtij viti dhe, të jeni i sigurt, do t’ju përgëzojë për këtë”.
Fatos Nano vetëm dëgjonte, aty-këtu mbante edhe ndonjë shënim, siç bënte thuajse tërë kohën edhe Agim Isaku, ndërsa unë nuk e pashë të arsyeshme të ndërhyrja në këshillat që jepte Paige. Ky rol atë ditë i takonte atij. Të vetmet fjalë që më kujtohet se thashë, pa iu drejtuar drejtpërsëdrejti kryeministrit, por që ishin për veshët e tij, ishte këto:
“Sekretari Powell me siguri do të flasë edhe për zhvillimet e brendshme në vendin tonë. Herë pas here, Departementi i Shtetit na ka bërë kritika dhe, ndoshta, Sekretarit do i pëlqente të dëgjonte diçka të tillë si, politika e jashtme më e mirë që mund të bëjë një vend i vogël, si Shqipëria, është një politikë e brendshme e mirë”.
Fatos Nano më vështroi disi tinëzisht, por nuk tha gjë, ndërsa Paige më dha të drejtë. Ai i tha Nanos se, duke e përgëzuar qeverinë shqiptare për arritjet e saj në reformimin demokratik të vendit, për rolin e saj konstruktiv në rajon dhe për kontributin në luftën kundër terrorizmit, Sekretari Powell do kërkonte prej tij, si kryeministër i Shqipërisë, më shumë informacion për të gjitha ato arritje që ishin realizuar deri atëherë, si dhe për të gjitha ato dukuri, për të cilat Departamenti i Shtetit kishte shprehur nga koha në kohë shqetësmet e veta, si korrupsioni në sistemin e drejtësisë dhe në administratën shtetërore, lufta kundër krimit të organizuar etj.
“Ju duhet t’i premtoni Sekretarit Powell”, i tha Paige Kryeministrit Nano, “se brenda muajit shtator të këtij viti, do i dërgoni atij personalisht dhe ndihmësve të tij në Departamentin e Shtetit një raport të detajuar të qeverisë shqiptare mbi reformat e realizuara deri më sot dhe mbi punën që planifikon të bëjë qeveria juaj vitin e ardhshëm për t’i çuar më tej këto reforma. Sekretari Powell e pret një premtim të tillë nga ju”.
Nano dhe Paige ranë dakord thuajse për çdo gjë. Nano dukej i kënaqur, edhe pse ende jo tërësisht i relaksuar. Pas atij takimi, kryeminstri qëndroi në zyrën e vet me Agim Isakun, ndërsa Paige dhe unë shkuam për darkë në tarracën e hotelit Carlsberg, vendi im i preferuar. Pas një dite të gjatë e të lodhshme, kishim nevojë të mbeteshim vetëm dhe të diskutonim në qetësi të gjitha nuts and bolts të vizitës së Sekretarit Powell.
* * *
Për habinë time, dikur aty rreth orës 20:30, më telefonoi Kastriot Islami, i cili në atë kohë ishte ishte ministër i Financave. Më pyeti nëse isha i lirë atë mbrëmje që të hanim darkë bashë. I thashë se, ndërkohë që flisja me të, po haja darkë me konsulentin tonë strategjik në Uashington dhe e kisha të pamundur.
“Po nesër”, pyeti ai.
“E nesërmja është një ditë shumë e ngarkuar”, i thashë, “nga mëngjesi në mbrëmje. Vjen Colin Powell”.
“Por Powell largohet pasdite”, vazhdoi të insistojë ministri i Financave, “kështu që në mbrëmje mund të takohemi”.
Ky insistim i Islamit m’u duk i çuditshëm. Deri në atë kohë nuk kisha pasur me të ndonjë marrëdhënie të afërt që të mund ta justifikonte këmbënguljen e tij. I shpjegova se nuk mund të parashikoja dot asgjë për mbrëmjen e nesërme. Mund të isha me Fatos Nanon. Mund të isha me Ilir Metën. Mund të isha me ambasadorin Jeffrey. Mund të isha me shokët e mi më të ngushtë—Tak Gjinin, Ed Kurtezin, Ksenofon Krisafin apo ndonjë tjetër. Do të doja të kaloja një mbrëmje të qetë me babanë tim, me motrën dhe vëllain, të cilët thuajse nuk e kisha parë fare ato dy ditë. Ku i dihej se ç’do të sillte e nesërmja.
Islami më tha se do më telefononte përsëri të nesërmen pasdite.
Paige nuk e njihte Islamin në atë kohë, por do e njihte nga afër më vonë, në fund të atij viti, kur Kastriot Islami do të bëhej ministër i Punëve të Jashtme dhe Paige do të përjetonte një përvojë joproduktive dhe të pakëndshme në marrëdhëniet me të. Ai e konsideroi emërimin e Kastriot Islamit në atë detyrë një “gabim shumë të madh” të Fatos Nanos, për të mos përdorur gjuhën më të ashpër, me të cilën, dy vite më vonë, Bruce Jackson ia tha në sy Kryeministrit Nano se ministri i tij i jashtëm Islami ishte një “idiot”.
* * *
Pritja e Sekretarit Powell në aeroportin e Rinasit të nesërmen, më 2 maj 2003, rreth mesditës, ishte për mua një ngjarje shumë emocionuse. Me shumë emocion duhet ta kenë pritur atë ditë mbrritjen e tij edhe kryeministri, presidenti i vendit dhe ministri i Jashtëm, të cilët do të takoheshin me të, por emocionet e tyre duhet të kenë qenë krejt të tjera nga emocionet që përjetoja unë.
Për Kryeministrin Nano, ajo ishte hera e parë që do të takohej me Sekretarin Powell. Presidenti Moisiu, në dijeninë time, gjithashtu, nuk ishte takuar më parë me të. Në samitin e NATO-s që u mbajt në Pragë, në nëntorin e një viti më parë, Presidenti Moisiu, së bashku me presidentët Stepjan Mesić dhe Boris Trajkovski, ishin takuar me Presidentin George W. Bush, por jo me Sekretarin Powell. Ilir Meta, nga ana e tij, ishte takuar me të vetëm një herë, në Uashington, dy vite më parë, kur ishte kryeministër i vendit.
Edhe pse gjatë dy viteve (deri në atë kohë) që unë shërbeja si ambasador i Shqipërisë në Uashington, në raste, në rrethana dhe në mjedise të ndryshëm isha takuar me Sekretarin Powell shumë herë, shtrëngimi i duarve me të në aeroportin e vetëm të vendit tim atë ditë më dha emocione po aq të forta, sa edhe ato që kisha provuar kur u takova me të për herë të parë, më 27 prill 2001. Në atë kohë, Sekretari Powell, duke më pritur në zyrën e tij në Departmanentin e Shtetit, më tha këto fjalë, të cilat nuk më janë hequr dhe s’do më hiqen kurrë nga mendja: “Welcome to America, Mr. Ambassador, although America is not new to you. You are ours”. Tani, dy vite më vonë, duke e pritur atë në aeroportin e Rinasit, bashkë me Kryeministrin Nano dhe ambasadorin Jeffrey, ishte radha ime që t’i uroja Sekretarit Powell mirëseardhjen në Shqipëri.
Sekretari Powell zbriti nga avioni i shoqëruar nga ndihmësja e tij Elizabeth Jones dhe anëtarë të tjerë të delegacionit që e shoqëronin, shtrëngoi duart me Kryeministrin Nano, i cili i uroi mirëseardhjen dhe, pasi shkëmbeu disa fjalë të rastit me të, na dha dorën ambasadorit Jeffrey dhe mua. Fill pas kësaj, Sekretari Powell dhe Elizabeth Jones, të shoqëruar nga ambasadori Jeffrey dhe eskorta e tyre, u nisën me urgjencë për në Tiranë. Fatos Nano u kthye në zyrën e tij, ku do të priste Sekretarin e Shtetit një orë më vonë, ndërsa unë dhe Paige nxituam për në selinë e Presidencës ku, vetëm pas gjysmë ore, Sekretarin Powell do e prisnin Presidenti i Republikës Alfred Moisiu dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta.
Takimi mes Presidentit Moisiu dhe Sekretarit të Shtetit Colin Powell shkoi jashtëzakonisht mirë. Biseda mes tyre ishte e shtruar dhe mjaft e përzemërt. Subjekti i asaj bisede u përqendrua kryesisht në sigurinë rajonale dhe në Kartën e Adriatikut, e cila do të nënshkruhej atë pasdite, si një instrument që do të përshpejtonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Nga perspektiva që e shihnim Jeffrey, unë dhe Paige atë takim, gjëja kryesore ishte që ai nuk zgjati asnjë minutë më shumë sesa koha që ishte planifikuar për të. Në përfundim të takimit, sipas propozimit të bërë nga Kryeministri Nano, Presidenti Moisiu e nderoi Sekretarin Powell me dekoratën e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Motivacioni për dhënien e asaj dekorate ishte kuptimplotë dhe është me vend ta riprodhoj këtu të plotë: “Për vizionin e tij të veçantë, lidershipin dhe rolin e tij të çmuar në mbështetje të demokracive të reja, që ndajnë vlera të njëjta me Shtetet e Bashkuara dhe për vlerësimin e tij të veçantë për rëndësinë e Shqipërisë dhe Europës Juglindore në lidhje me stabilitetin rajonal dhe një Europë në paqe; për angazhimin e tij personal për zgjerimin e NATO-s, duke përfshirë dhe partnerët fqinjë të Adriatikut, si dhe për inkurajimin dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike; për vëmendjen e tij personale dhe mbështetjen entuziaste ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u bërë një shoqëri e vërtetë demokratike dhe për konsolidimin e marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara; për mbrojtjen e vendosur në përmbushjen e vizionit të Presidentit Bush për një Europë të bashkuar, të lirë e të begatë, si dhe për vlerësimin prej tij të kontributit të dhënë nga Shqipëria në krijimin e këtij realiteti dhe për njohjen e kontributit të tij të pakrahasueshëm si një lider botëror dhe një luftëtar i paqes”.
* * *
Shëtitja me këmbë nga presidenca deri te godina e kryeministrisë, siç kishte sugjeruar Paige Reffe, rezultoi të ishte një ide shumë e mirë nga pikëpamja e marrëdhënieve me publikun. Por, ajo shëtitje ishte, gjithashtu, një mundësi e shkëlqyer për Sekretarin Powell që, në një vizitë kaq të shkurtër, të ndiente nga afër sado pak atmosferën e relaksuar të kryeqytetit shqiptar dhe, sidomos, respektin dhe ndjenjat miqësore të qytetarëve shqiptarë, kalimtarë të rastit, që zgjateshin t’i shtrëngonin dorën. Diplomati më i rëndësishëm i fuqisë më të madhe të globit po shëtiste në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në atë bulevard ku unë vetë isha rritur si fëmijë dhe ku kisha qenë thuajse çdo ditë pjesë e “xhiros” së famshme të mbrëmjes kur isha i ri. Duke e shoqëruar Sekretarin Powell, ajo shëtitje më dha një kënaqësi të veçantë, sidomos kur shihja aty-këtu dhe përshëndetesha me njerëz që i njihja. Ambasadori Jeffrey, gjithashtu, e shijoi atë shëtitje të shkurtër, e cila kishte zgjidhur për të dy ne një dilemë të madhe logjistike. Për Ilir Metën, shëtitja në krah të djathtë të Sekretarit Powell atë pasdite ishte, padyshim, në mos një fitore ndaj Fatos Nanos, të paktën një “barazim” me të.
Powell dhe Meta u ndanë pasi kaluam në anën tjetër të bulevardit dhe do të ngjisnim shkallët e shtruara me tapet të kuq të kryeministrisë. Në ato shkallë, ku deri tri dekada më parë ngrihej një tribunë e madhe, prej nga Enver Hoxha dhe drejtuesit komunistë të shtetit shqiptar ndiqnin çdo vit paradën e 1 Majit dhe, një herë në pesë vite, paradën e forcave të armatosura shqiptare, që do ta mbronin Shqipërinë nga çdo agresion i mundshëm i imperialistëve amerikanë ose i socialimperialistëve sovjetikë në atë kohë, në ato shkallë, pra, tani po ngjitej një prej drejtuesve kryesorë të superfuqisë së vetme politike e ushtarake të globit, në atë kohë jo vetëm diplomati më i rëndësishëm por, ndoshta, edhe gjenerali më i famshëm i planetit. Në krye të shkallëve Sekretarin Powell e priti Kryeministri Nano, i cili e ftoi mysafirin e nderuar nga Uashingtoni të hynin brenda. Pas tyre hymë edhe Beth Jones, Jim Jeffrey, unë dhe ata zyrtarë, që protokolli i shtetit i kishte ftuar të merrnin pjesë në ceremininë e nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Paragrafin 98 të Traktatit të Romës.
* * *
Para nëshkrimit të asaj marrëveshjeje, Colin Powell dhe Fatos Nano zhvilluan mes tyre një bisedë pune mjaft miqësore në zyrën e kryemininstrit, e cila zgjati 30 minuta. Ndihmësekretarja e Shtetit Elizabeth Jones, Jim Jeffrey, unë dhe Agim Isaku ishim, me sa mbaj mend, të vetmit të pranishëm në atë takim. Gjithçka që u tha në bisedën mes tyre ishte, pak a shumë, siç kishte parashikuar Paige Reffe një ditë më parë. U fol përgjithësisht për marrëdhënien e ngushtë mes dy vendeve tanë, për bashkëpunimin dhe sigurinë rajonale, për reformat e ndërmara nga qeveria shqiptare dhe përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Në fund të takimit, kërkesës së Sekretarit Powell për më shumë informacion mbi punën e qeverisë shqiptare sa u përket reformave të ndërmara, luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe në administratë, Kryeministri Nano iu përgjigj duke i premtuar Sekretarit hartimin dhe dërgimin e një raporti të detajuar brenda një kohe shumë të shkurtër, deri në vjeshtë të atij viti. Dhe, në fakt, në shtator të atij viti, qeveria shqiptare i dërgoi Sekretarit të Shtetit Colin Powell dhe drejtuesve të tjerë të administratës amerikane një raport shumë të detajuar mbi reformat e kryera dhe ato në proces në Shqipëri.
Disa detaje më shumë për çfarë u bisedua mes Sekretarit Powell dhe Kryeministrit Nano, lexuesit i mësojnë nga goja e vetë këtij të fundit, kur ai, po atë ditë, gjatë konferencës për mediat në fuajenë e kryeministrisë, iu përgjigj kuriozitetit të një gazetareje të televizionit publik shqiptar TVSH lidhur me atë takim. Kryeministri Nano shpjegoi se ai dhe Sekretari Powell shkëmbyen mendime lidhur me “përparësitë që kanë Shqipëria dhe rajoni”. Nano tha se ai e siguroi edhe një herë Sekretarin amerikan të Shtetit mbi “angazhimin e qeverisë së tij për të kryer reforma të rëndësishme në vend, të cilat do ta afrojnë Shqipërinë me standardet euroatlantike dhe me vlerat moderne”. Kryeministri shqiptar i tha Sekretarit Powell në atë takim se “Politika jonë e jashmte më e mirë me Shtetet e Bashkuara dhe me partnerët e tjerë globalë është një politikë e brendshme e mirë, e orientuar drejt komunitetit euroatlantik”.
Mua, sigurisht, më erdhi mirë që kryeministri i kishte mbajtur mend ato fjalë dhe i kishte gjetur me vend që t’ia thoshte Sekretarit amerikan të Shtetit.
“Ne ramë dakort”, vijoi më tej Kryeministri Nano, “që ta intensifikojmë edhe më tej luftën tonë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegalë, që ende vijojnë të kalojnë përmes territorit të Shqipërisë dhe rajonit”, si dhe “të vazhdojmë të luajmë rolin tonë pozitiv e të moderuar për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin në rajon”.
Nano tha se e garantoi Sekretarin Powell se “politika, qeveria dhe shoqëria shqiptare i shohin me simpati të thellë praninë, ndihmën e vazhdueshme dhe monitorimin në rritje të qeverisë amerikanë dhe të agjensive të ndryshme të saj për arritjen e këtyre qëllimeve të përbashkët”.
Në atë takim, duke i përcjellë Kryeministrit Nano përshëndetjet e ngrohta të Presidentit Bush, Sekretari Powell tha, ndër të tjera, këto fjalë: “Ju na keni mbështetur me vendosmëri dhe ne jemi po aq të vendosur që t’ju mbështesim ju…Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu, për të dëshmuar angazhimin tonë konkret në mbështje të agjendës së reformave që keni ndërmarrë për të përmbushur standardet e kërkuara dhe për t’u bërë një vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Europian”.