Qeveria e re e Giuseppe Conte në Itali ka marrë të hënën votëbesimin në Dhomën e Deputetëve. Duke prezantuar programin qeverisës, kryeministri Conte deklaroi se prioritet do të jenë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i një marrëdhënieje të re me BE-në.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte në fjalën e tij tha se ky projekt shënon fillimin e një sezoni të ri të reformave, ndërsa shtoi se ai së bashku me partinë e koalicionit do të punojnë për të çuar vendin përpara.
Qeveria italiane “Conte 2” ka marrë mbrëmjen e së hënës votëbesimin në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit të Italisë. Ekzekutivi, i përbërë nga Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike e majtë, ka marrë 343 vota pro, 263 kundër dhe 3 abstenim. Gjatë seancës maratonë, kryeministri publikoi programin e qeverisë që do të drejtojë. Në qendër të tij do të jenë ligji për bilancin dhe politikat për emigracionin, si dhe ato për ambientin, të drejtat e njeriut dhe reformat. Gjithashtu, Conte nuk fshehu interesin për një marrëdhënie më të fortë të Italisë me Europën, duke shprehur shpresën për hapjen e një kapitulli të ri.
“Sfidat që na presin janë të shumta, duke nisur nga bilanci financiar që duhet ta fusë vendin në shinat e një perspektive solide zhvillimi”, tha Conte. Ai u shpreh i vetëdijshëm se manovrat në këtë drejtim do të jenë të vështira, por shtoi se nuk do të jenë të pamundura. Një tjetër pikë e prekur prej tij ishte shmangia e rritjes automatike të TVSH-së, për t’iu dhënë lehtësi bizneseve dhe qytetarëve. Shkollat dhe universitetet do të jenë një tjetër prioritet për qeverinë Conte, sipas të cilit këto institucione kanë nevojë për rritjen e cilësisë. Më tej, kryeministri garantoi se shkurtimi i ligjvënësve do të jetë gjithashtu pjesë e programit.
Gjatë fjalimit të tij nuk munguan kontestimet e deputetëve të Ligës së Veriut, tashmë në opozitë, që bërtisnin “duam zgjedhje”, si dhe e etiketonin Conten një njeri të shitur. Në replikën e tij, Conte tha se do të ishte e papërgjegjshme që vendi të shkonte në zgjedhje.