Është mbyllur më në fund debati gati një mujor për Qeverinë e re në Itali. Pas prishjes së koalicionit mes Lëvizjes 5 Yje dhe Lega, të Matteo Salvinit, Giuseppe Conte ka paraqitur pasditen e së mërkurës listën me kabinetin e ri qeverisës, pjesë e të cilit do të jenë tre parti: Lëvizja 5 Yjet, Partia Demokratike dhe partia “Liberi e Uguali”, por dhe një ministër teknik.
E pikërisht teknik do të jetë dhe ministri i Brendshëm. Bëhet fjalë për Luciana Lamorgese, e cila do të zërë vendin e Matteo Salvinit. 66 vjeçarja Lamorgese ka mbajtur deri në tetorin e vitit të kaluar postin e Prefektes së Milanos. Por Ministria e Brendshme nuk është e panjohur për Luciana Lamorgesen, pasi prej vitit 2013 deri në 2017 ajo ka qe ne shefe e kabinetit e Ministrit të Brendshëm të kohës Angelino Alfano. Me një qasje tërësisht ndryshe nga Salvini për çështjen e emigrantëve, ajo përshkruhet nga mediat italiane si personi që deri më tani, askush nuk ka folur keq.
Dhe pikërisht Luciana Lamorgese është nën vëmendjen e të gjithë opinionit në Itali por dhe në Europë, pasi pritet të shihet qasja e saj ndaj emigrantëve. Çështja në fakt që ju kthye në bumerang Matteo Salvinit. Me tezën e ndalimit të emigrantëve Salvini u votua një vit më parë nga shumë italianë, por sjelljet e tij tejet të ashpra ndaj emigrantëve, bën që qëndrimet e tij të shiheshin me skepticizëm në Itali.
Një tjetër emër që bie në sy është ai i Ministrit të Jashtëm. Luigi Di Maio, kreu i Lëvizjes 5 Yjet, do të marr vet drejtimin e diplomacisë Italiane, në një moment delikat për BE, me Brexit në derë dhe me debatet e brendshme për riformimin e Unionit.
33-vjeçari Di Maio, i cili u katapultua në politikë nga Beppe Grillo, rezulton që mos të ketë përfunduar deri më sot studimet e larta, edhe pse i ka nisur ato për inxhinier informatike e më pas u transferua në jurisprudencë.
Por i menjëhershëm ishte dhe reagimi i Matteo Salvinit, i cili e ka quajtur një qeveri të lindur mes Parisit dhe Berlinit. Salvini nuk është mjaftuar me kaq por ka paralajmëruar se nuk do ti shpëtojnë gjykimit të italianëve për shumë kohë, duke u shprehur i gatshëm për përballje në zgjedhje. Zgjedhje të cilat ai i ka kërkuar më forcë qe nga prishja e koalicionit në fillim të Gushtit.
Por historia ka treguar së pavarësisht partive politike dhe emrave që vendosen në to, qasja e Italisë ndaj Shqipërisë nuk ka ndryshuar për asnjë moment. Italia ka qenë dhe vijon të mbetet një nga mbështetëset më të forta të vendit tonë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Kabineti i ri qeveritar në Itali
Kryeministër Giuseppe Conte
Ministër i Brendshëm Luciana Lamorgese
Ministër i Jashtëm Di Maio
Ministër i Ekonomisë Roberto Gualtieri
Ministër i Mbrojtës Lorenzo Guerini
Ministër i Drejtësisë Alfonso Bonafede
Ministër i Arsimit Lorenzo Fioramonti
Ministër i Ambientit Sergio Costa
Ministër i Punës Nunzia Catalfo
Ministër i Transportit Paola De Micheli
Ministër i Administratës Fabiana Dadone
Ministër i Jugut Giuseppe Provenzano
Ministër i Shëndetësisë, Roberto Speranza
Ministër i Infrastrukturës Stefano Patuanelli
Ministër i Kulturës Dario Franceschini
Ministër i Sportit Vincenzo Spadafora
Ministër për Europën Vincenzo Amendola
Ministër Bujqësisë Tereza Bellanova
Ministër i të Drejtave të Barabarta Elena Bonetti
Ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin Federico D’Incà
Ministre e Teknologjisë Paola Pisano
Ministër për Punët Rajonale Francesco Boccia