Në një komunikim për mediat, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi se në 24 orët e fundit janë zbuluar 11 raste të reja, ndërsa në total janë 223 persona të prekur nga virusi vdekjeprurës.
Ndërkohë një person ka humbur jetën mbrëmjen e sotme (e Hënë), duke e çuar në 12 numrin e viktimave.
NJOFTIMI I MSH
Ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv pacientja 82-vjeçare L. M., nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19. E moshuara po trajtohej prej 5 ditësh në spitalin infektiv, ndërsa në dy ditët e fundit gjendja e 82-vjeçares u rëndua së tepërmi dhe pavarësisht përpjekjes së stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë.
82-vjeçarja që vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese: Astma Bronkiale, Hipertension, Podagra (sëmundje reumatismale) është viktima e 12 e COVID-19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit social dhe izolimit, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19.
Më herët Ministria e Shëndetësise publikoi të dhënat e fundit mbi ecurinë e situatës në vend. Sipas këtyre të dhënave harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Fier, Shkodër, Tropojë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 124 raste
– Durrës 14 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Fier 23 raste
– Kavajë 4 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 14 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 7 raste
– Lezhë 5 raste
– Berat 1 rast
– Has 2 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 3 raste
– Mirditë 1 rast
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital! Për ankesat që keni merrni numrin e telefonit 127 për ankesat që kanë të bëjnë me gjendje sëmundje dhe nurmin 0800 40 40 kur kërkoni informacion ose kur kërkoni informacion jo vetëm për sëmundjen COVID por edhe për lidhjen me mjekun e familjes ose për mënyrën se si do të merren medikamentet e rimbursueshme.