Zona e ish-Bllokut, Astiri dhe Kombinati konsiderohen edhe zonat e kuqe, ku rreziku i infeksionit është më i lartë. Një fakt ky që u pohua dje gjatë takimit me ministren Manastirliu nga epidemiologu Rexhep Muja.
“Në fokusin tonë kryesor kemi kryesisht shkollat dhe për t’u lidhur dhe me vatrat e nxehta që kemi në kryeqytet, kryesisht Astirin, ish-Bllokun, Kombinatin etj”, u shpreh epidemiologu Rexhep Muja.
Prej fillimit të pandemisë, kryeqyteti ka qenë në krye të listës si një ndër qytetet më të goditura. Aktualisht, sipas të dhënave të ministrisë, janë 3001 të infektuar aktivë ose gjysma e rasteve aktive të regjistruara në të gjithë vendin. Ditët e fundit është vënë re një shpërndarje e rasteve edhe në rrethe, kryesisht qarqet e veriut, siç vuri në dukje edhe Manastirliu dje, janë ato të cilat kanë një numër më të rritur të infektimeve.