Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, zhvilloi sot një takim me ambasadoren e Delagacionit të BE në Tiranë, Christiane Hohmann dhe ambasadorët e të gjithë vendeve të tjera të unionit.
“Falënderoj ambasadoren e Delagacionit të BE në Tiranë, Christiane Hohmann
për ftesën për të marrë pjesë në një bisedë të hapur me ambasadorët e vendeve anëtare të unionit, mbi rezultatet dhe sfidat në fushën e punëve të brendshme teksa rrugëtimi ynë drejt aderimit të plotë ka marrë një ritëm të ri”, shprehet ministri Çuçi.
Në vijim ai thotë se ka ndarë me diplomatët e Bashkimit Europian edhe vizionin për reformimin e Policisë Kriminale, si një hallkë e rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar.
“Pata mundësinë të diskutoja me ta për çështje që lidhen me Kapitullin 24 në procesin e negociatave me BE-në dhe ndava vizionin tonë për reformimin e Policisë Kriminale, si “kali ynë i betejës” në luftën kundër krimit të organizuar”, thotë Çuçi.
Çështje tjetër e rëndësishme ishte sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit
“Shpreha gjithashtu shqetësimin për sulmin kibernetik dhe kërkova mbështetje nga vendet e BE-së për forcimin e sigurisë së sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit”, thotë Ministri i Brendshëm.
Teksa u vlerësuan arritjet e vendit tonë në disa fusha, gjatë diskutimit u vu theksi tek domosdoshmëria e vijimit të angazhimit në procesin e reformave për forcimin e instrumentave kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe çdo forme tjetër paligjshmërie.
“Shqipëria jep një kontribut të qënësishëm në sigurinë e unionit kur vjen puna tek adresimi i sfidave të përbashkëta si flukset migratore të paligjshme; lufta kundër trafikut të drogës; kontrabandimi, trafiku i qënieve njerëzore; pastrimi i parave dhe çdo formë tjetër krimi transnacional”, shprehet ministri Çuçi.