Çupi: Ça do t’i bëje komunizmit ti antikomunisti?

Më të fundit


Të dy djemtë janë moshatarë, edhe shokë. Njëri syresh e di se ka studiuar në Itali, por edhe tjetri- ndoshta, mbase në Shqipëri. Tani ndodhen në dy kampe për votimet në Shkodër.

-E di sa të mirat i kam prej familjes tande- i tha tjetri. – Shpirtin e nap, por votën jo për komunistët.

Historia është e vërtetë, madje e treguar dje me detaje që nuk ka pse t’i them. Babi i ‘votuesit komunist’ kishte qenë një nga drejtorët më të fuqishëm në Shkodër. Edhe familjarë fqinjë. Ata me ‘biografi të keqe’ për shkak të gjyshit në kryengritjen e Postribës, ishin fëmijë shumë, edhe në ekonomi të dobët. Komunisti, bëri më të zorshmen dhe shteti u dha shtëpi ‘të deklasuarve’; shtëpinë që kanë edhe sot.

Prandaj djali thotë se ‘shpirtin e nap…’, gjithë familja nuk e ka harruar atë që u bëri komunisti.

Çudi e madhe kjo qasje për të shkuarën që ditë e përditë është prezent në Shkodër. Njerëz të moshës së re, lindur më vonë se rënia e komunizmit, jetojnë me fantazmën e komunizmit.

Ka një paradoks në mes: Nëse komunizmi nuk do të ishte fantazmë, çfarë do të ishte? Një realitet! Në atë realitet çfarë do të bëje ti antikomunisti?

Sa herë nuk e ka bërë pyetjen njerëzia!

Në atë realitet, ti mik antikomunist, do të ishe një komunist. Po e them pa drojë. Nëse mund të quhesh sot antikomunist, e merr titullin sepse nuk ke përpara realitet komunist.

Jo pse thjesht komunizmi nuk është më, por sepse ‘antikomunistët’ janë komunistë në kohën kur nuk ka komunizëm.

Çfarë do të bënte djaloshi nga Shkodra, sikur të jetonte nën regjim komunist?… Asgjë nuk dihet, por besoj se një punë komuniste nuk do ta bënte, sepse rrezikonte: Nuk do të çante kokë për shtëpinë e fqinjit të deklasuar.

E di pse ky nuk do të bënte atë që bëri ‘babai komunist’ i shokut? Sepse në komunizëm, sidomos ‘antikomunistët’ kishin mprehur shqisën e kujdesit ekstrem, se mund të shpalleshin ‘armiq të popullit’. Këta njerëz me ngarkesa komuniste kanë një shkallë të lartë dyshimi. Dyshojnë edhe në hyrjen e re të Bunës dhe nuk e votojnë.

Po çfarë bën një antikomunist nën regjimin komunist?!

Bën konformistin, dhe këtë do të bënte edhe djaloshi këtu. Do të shkonte e vinte nga puna, do të jetonte në apartamentin e ngushtë dhe kaq. Komunizmin nuk mund ta rrëzonte, do të zgjidhte ta adoptonte…

Do të bënte njeriun e zellshëm komunist, çfarë tjetër?

Antikomunistët e Shkodrës, 30 vjet i falen një komunisti të ashpër që e quajnë ‘dash i këmborës’ antikomuniste. Nexhmija, gruaja e diktatorit, ka treguar se si bënte çmos Saliu që t’i shkonte në ditëlindjen e fëmijëve. Një ditë paska ndodhur që Saliu t’i japë dorën Enverit, diku në klinikë. Nexhmija thotë se ‘gjithë asaj ditë Saliu e mbajti dorën lart, që të mos e prekte njeri tjetër’. Antikomunist është edhe Saliu, natyrisht; kështu mund të bëje edhe ti miku im antikomunist. Madje mund të kishe marrë në qafë njerëz, po ashtu.

Ç’gjë tjetër do të bënte një antikomunist në komunizëm?

Do të ishte një numër dhe asgjë më shumë. Çfarë po bën sot ky antikomunisti që ‘shpirtin ta nep, por jo votën për komunizmin’? Të njëjtën gjë. Ky trurin e ka të shpëlarë, njësoj si atëherë, veçse në vend të komunizmit ka ‘anti’. Sa për jetën më të mirë në një votim të drejtë, këta nuk bëjnë pyetje; këta e japin veten vetëm si numra në kuti.

Po çfarë do të bënte vallë antikomunisti po të ishte se komunizmi nuk është fantazmë, siç është?

Do të pajtohej me forcën shtetërore që do ta zhvishte nga prona?

Po, pa dyshim. Antikomunisti i sotëm pajtohet ‘në liri’ dhe me vullnet të plotë me zhdukjen e pronës. Regjimi ‘antikomunist’ i post- komunizmit e zhveshi pronarin nga prona; madje edhe e tjetërsoi dhunshëm pronën nga pronari i vërtetë te një militant politik.

Kurrë në jetë nuk korrigjohet katastrofa që bëri qeveria ‘antikomuniste’ pas ’92. Antikomunistët e duartrokasin. Këtë do të bënin edhe në komunizëm. Kryengritja e Postribës, në vitin 1946, bash për këtë dështoi: ‘Antikomunistët’ iu vunë kundër fshatarëve që luftonin për tokën; ndoshta edhe një gjysh i djaloshit të sotëm me parashtesën ‘anti’.

Ka shumë njerëz që mendojnë se identitetin e tyre e bën e kaluara. Fatkeqësi! Këta nuk ndërtojnë dot jetë moderne.



Skip to toolbar