Çupi: Doktorë djaj

Më të fundit


Nga Frrok Çupi

E morët lajmin?

Një doktor, madje doktor ligjor në Tiranë, ka vendosur që ‘thyerjen e kockës së kokës’ dhe ‘thyerjen e kockës së parakrahut’ të mos i konsiderojë ‘plagë të rënda’. Sikur gjithë trupin të ta bëjnë ‘miell’ ai nuk e quan. Në komunikimin e tij dërguar Prokurorit, shkel pak syrin duke i dhënë sinjalin: ‘Haj, ma!, është plagosje e lehtë…’.

Nëse një doktor i klinikës do t’i kishte thyer dikujt kockën e kokës…, ky quhet vrasës. Por doktori Elton Serani mund të quhet edhe vrasës, edhe vetë djalli; ai ka fshehur krimin dhe ka shtrembëruar ligjin që dënon krimin ndaj njeriut. Kjo ndodhi me rastin e dhunës së tmerrshme, të shfaqur në të gjitha ekranet,  nga familja Rraja kundër familjarëve ‘Maja’.

Na lind një pyetje që na ka munduar në heshtje gjatë gjithë kohës:

A janë engjëj apo djaj doktorët?

As vetëm njëra, as vetëm tjetra. Por mes tyre ka nga ata që familja i ruan në kujtesë si ‘engjëj’. Ndërsa mes mjekëve ka shumë vrasës; shpesh herë i përkëdhel po t’u thuash ‘djaj’. Djallin, njeriu e kontrollon sa herë ka dëshirë; ndërsa mjekun vrasës nuk e kontrollon dot.

Çfarë mund të bëjë tani Prokuroria e SPAK për të ndryshuar akuzën në rastin e dhunës gjakatare të fisit Rraja kundër njerëzve të tjerë ‘pa fis’? Rrahja e Rrajës ndodhi në 6 korrik të këtij viti, dhe ende nuk del nga sytë e kujtesës. Nëse do të mund ta bëjë, që ta quajë ‘plagë e rëndë’ thyerjen e kokës, atëherë do të lavdërojmë SPAK-un për arsyen se ‘ia doli’. Mund të ndodhë që edhe të fundoset e drejta e jetës e viktimave të dhunës, ku u derdh gjaku rrëke para syve tanë… Doktori fshehu plagën e rëndë…, atëherë ky bëhet një djall.

Dilema nëse doktori është djall apo engjëll, ka hyrë heshturazi mes nesh prej një kohe të gjatë; shpesh nuk kemi dashur t’i besojmë vetes. Doktori vrasës është fshehur përjetësisht pas vullnetit të mirë dhe frikës së njeriut.

Doktori është edhe vrasësi i parë, jo vetëm dera e parë ku trokasim për ndihmë.

Ndoshta edhe disa nga lexuesit kanë eksperienca të zymta e të paharruara; por bota ( të paktën) ka shënuar gjurmë tragjike. A mund të themi një fakt të tmerrshëm?..

Ja cili është:

Në Shtetet e Bashkuara, si vrasës i parë serial njihet H.H. Holmes (ose Herman Mudgett), i lindur në vitin 1861. Ai ishte doktor farmacist, në Çikago; i diplomuar me vështirësi në Miçigan. Të parin vrau një shok të afërt…, pastaj ndërtoi një ‘kështjellë vrasjesh’, duke e çuar numrin në 130. Më në fund u dënua me vdekje.

Fakti që vrasësi i parë serial është një doktor, duhet mbajtur mend, jo me idenë se këta janë vrasësit e vetëm, por me qëllim që të mos i quash engjëj sapo t’i shikosh me bluza të bardha.

Pse vrasin doktorët? Edhe doktorët, si të gjithë humanët e tjerë, vrasin për pasuri.

Kemi pasur burra shteti, doktorë më të shumtit që kanë vrarë dhjetëra e ndoshta mijëra vitet e fundit. Për çfarë? Për pasurim… Pa pushim janë thënë fjalë se doktorët marrin shumë para nëpër duar, se ‘doktori nuk të shikon me sy po nuk i dhe 5000 euro’, etj. Mund të mos besohen të gjitha, por nuk duhen mbyllur veshët. Këtë po an sugjeron doktori kriminalist Elton Serani në Tiranë.

Në vitin 2014, Farid Fata, një hematolog-onkolog i zonës së Detroitit, u deklarua fajtor për dhënien e trajtimeve të panevojshme të kimioterapisë për të paktën 533 pacientë, duke përfshirë pacientë pa asnjë shenjë kanceri. Dr. Fata deklaroi se vrasjet e tij i kishin rrënjët te lakmia dhe ai vodhi 17 milionë dollarë.

Ka eksperienca nga popuj të zhvilluar që doktorin e  quajnë edhe ‘engjëll’, por edhe ‘vdekje’.

Në Gjermani, i mbiquajtur “engjëlli i vdekjes”, Josef Mengele, e nisi jetën si prodhues i veglave të punës, por biznesin më të mirë e gjeti te vrasja e pacientëve. Rruga që zgjodhi ishte të merrte pjesë në politikë dhje iu bashkua Waffen-SS. Në Aushvic kreu krime të rënda. Është nga të rrallët kriminelë hitlerianë që nuk u zbulua deri në fund të jetës. Doktorët ‘djaj’ hyjnë në politikë dhe aty fshihen më mirë se kudo.

A mund të jetë edhe doktor, edhe vrasës, edhe president i vendit?

Bota sot njeh si të tillë Bashar al- Assad, president i Sirisë. Ai është një doktor okulist që u diplomua në Angli. Ai çon para plumbit çdo kundërshtar dhe disident politik. Është shumë brutal dhe ka deklaruar se për çdo kundërshtar të qenësishëm, ka gati një revolver ose një snajper. Ai ngriti një luftë të tërë civile vetëm për të mbajtur pushtetin. Ka përdorur armë kimike kundër popullit të tij.

E njëjta gjë ka ndodhur me presidentin e shtetit tonë në vitet 1992- 1997. Ai ndezi luftën civile në mbarë vendin për të mbrojtur pushtetin e tij. Por armët kimike i përdori kundër Vlorës. Edhe ky ishte doktor. Madje kishte një pasion për ‘të larë’ doktorët e afërt të tij në trazirat e luftës. Doktor ishte edhe zëvendësi i tij që la nderin në Lushnjë…, doktor edhe ministri i Jashtëm, doktor edhe lideri i Shkodrës për PD… doktorë gjithandej.

Por populli ynë pësoi rrënimin më të rëndë nga ‘doktori’ në piramidën e shtetit. E keqja- se sot e kësaj dite ka naivë që i shkojnë pas e thonë “si ka mundësi?… Ai është doktor!’.

Shpesh herë ndodh pse autori i krimit është doktor.



Skip to toolbar