Çupi: Edi Rama foli herët, lajmësi “digjet”

Më të fundit


Nga Frrok Çupi 

Nuk po përdor fjalët ‘foli para kohe’, por ‘herët’, sepse janë dy gjëra…

Kryeministri i Shqipërisë para katër ditësh, në një nga kulmet e tensioneve në Veri të Kosovës me Serbinë, foli e tha se ‘NATO duhet të marrë kontrollin e Veriut’.

Kjo nuk ishte para kohe, por ishte herët. Sepse ‘para kohe’, në sensin e strategjisë dhe diplomacisë shteteve, do të ishte ‘pa vlerë konkrete’. Ankesat që shpërthyen nga ‘patriotët’, nga qeveria e Kosovës dhe nga disa ‘analistë’, bazohej në kuptimin e shpejtësisë.

‘Po të mos jesh herët, je vonë’, ky është thelbi.

-Çfarë ka Edi Rama me këto punë, ne jemi vetë këtu, kemi ushtrinë tonë, pse NATO?’, thanë në Kosovë.

Edhe në kancelarinë e Kuvendit të Shqipërisë, është paraqitur një kërkesë për ‘interpelancë me Ramën, pse foli për NATO-n’. Këtë e bëri PD. Të enjten mund të jetë seanca kur do të mbahet interpelanca.

Pa mendoni për një moment cilat do të ishin pyetjet dhe përgjigjet!

-Po mirë, pse zoti kryeministër kërkuat prezencën e NATO-s në Veri?, është pyetja.

Përgjigje nuk ka, sepse përgjigjen e di i madh e i vogël. Qysh me krijimin e Republikës së Kosovës në vitin 2008, në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB, forcat e NATO-s do të jenë në Kosovë deri në një moment të dytë kur fuqitë e mëdha do të binden se tani ‘shteti ecën vetë’. Por nuk ka ardhur ai moment.

Madje, bash ditën kur Rama e tha fjalën për ‘kontrollin e NATO-s’, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s urdhëroi ‘shtimin e trupave të NATO-s në Veri.

Pyetja tjetër në Parlament:

-Po, mirë o mirë, këtë e dimë. Po ti, zoti kryeministër, pse fole më herët se Sekretari i NATO-s?

Edhe kësaj here përgjigja nuk është e nevojshme. Qeveria e Kurtit, edhe pse u shpreh kundër shtimit të trupave të NATO-s, po atë ditë deklaroi se ‘NATO le të vijë, ajo nuk na merr toka, por na mbron’…

Albin Kurti ishte i vonuar në bashkëpunimin me NATO-n dhe me Perëndimin, e prandaj tani ndodhet jashtë boshtit të besimit reciprok me NATO, SHBA dhe BE. Edhe pse është gati të thërrasë ‘O shoqja NATO, harro çfarë kam thënë; ma jep një dorë ta mbaj pushtetin me luftë…’, tani është tepër vonë.

Që në fillim, Kurti ishte 24 vjet më vonë se realiteti:

Që në vitin 1999, Kombet e Bashkuara vendosën Kosovën nën administrimin e tyre pas luftës në Kosovë. Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) u krijua më 10 qershor 1999. Rezoluta 1244 bëri thirrje për një proces politik demokratik për të përcaktuar statusin e ardhshëm të Kosovës. Bisedimet e sponsorizuara nga OKB filluan në vitin 2006. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e vendosi Kosovën nën administrimin kalimtar të OKB-së në pritje të përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës. Kjo rezolutë i besoi UNMIK-ut kompetenca gjithëpërfshirëse për të qeverisur Kosovën.

NATO, që atë ditë e pa pushim,  ka një mandat të veçantë për të siguruar një mjedis të sigurt në Kosovë.

Atëherë kur qenka ‘herët‘ për të folur për NATO-n në Kosovë?

Nesër deputetët në Kuvend, ose patriotët në rrugë, nuk dihet çfarë mund të kërkojnë ‘pse NATO vjen në Kosovë?’.

Në thelb mbetet sensi ‘herët’, ose ‘i vonuar’.

Edhe Ibrahim Rugova ishte vënë para kritikave ‘patriotike’ pse e shpalli ‘herët’ Republikën e Kosovës. Atëherë ishte viti 1990, korrik, 18 vjet para Republikës së legjitimuar ndërkombëtarisht. Edhe vetë mendimtarët e dalluar shqiptarë kanë theksuar se ‘defekti ynë është vonesa’. Jemi vonuar në histori!, thonë mendimtarët e lexuar nëpër libra, por edhe ata që bisedojnë nëpër kafe…

Po pasnesër në Kuvend çfarë do të thonë pa- mendimtarët mbi ‘zgjimin herët’ për në arë.



Skip to toolbar