Deputetet e PD që në mëngjes morën armët e gjahut dhe dolën për kësmet. Kur u afruan sallës së Parlamentit, aty iu ndez gjaku. U erdhi ndërmend ‘Gjahu i Malësorëve’, i Kristoforidhit. Ngjarja është e fillimit të shekullit të kaluar.
Gjahtarët i ngjiten Tomorrit. Nis gjuetia:
“Ty, ty,ty! Ty, ty, ty! (bie trumbet’ e bririt). Ha, ha, ha! (ndërsejnë qentë). Kam kum, kam kum, kam kum! (lehin qentë). Taf tuf! Taf tuf! Taf tuf! (kërcasin pushkët). -Prite, or ti! -Prite! Taf tuf! Qit! Qëllo! Mos e lësho!”.
Deputetët, pas 125 vjet e gjetën veten në të njëjtën pozitë. Po gjuajnë për pushtet. Nisi t’u ndrisë fytyra. E morën qeverinë. Turli prej tyre i vunë ndenjëset në ndenjëset e ministrave dhe u ndjenë njerëz pylli të përkëdhelur.
Edhe një herë tjetër, shumë më fuqishëm, e kishin ndjerë veten në 14 shtator 1998. E morën pushtetin. Pushtuan selinë e qeverisë. Edhe ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Drejtësisë. Morën tanket e Gardës dhe sulmuan ambasadën amerikane. Harruan arkivolin në shkallët e selisë së qeverisë. Pushtuan selinë e Televizionit Shqiptar. Dhanë lajmin se ‘e morën qeverinë’.
Sot e morën prapë. Disa preje tyre u ulën në ndenjëset e ministrave. Disa të tjerë nuk kuptonin a do të ishin të gjithë ministra apo jo. Dhe rrinin e vështronin. Muli me shokë tërhiqte si kau në parmendë. Me sy andej nga ndenjëset, por s’i dihet cilën ndenjëse kërkonte secili. Bosi i tyre kënaqej me veset e vjetra dhe përkëdhelte dërrasën e foltores. ‘Ah moj virane, të të kisha edhe një herë!?’. Një orë të tërë i foli foltores duke e përkëdhelur si në një ëndërr gjuetie. Të tjerët me zjarre dhe ‘Ham, hum. Ham, hum’.
Në fund, kur e panë veten ‘lakuriq’ u mbërthyen palltosh dhe u zhdukën nga fusha e gjuetisë. PD është një lukuni dhe nuk i dihet në cilin drejtim e merr ana për në gjueti.
Ikën shpejt. Dikush, ndoshta bosi, u bëri me sinjalin e bririt ‘Ty ty! Ikni sa më shpejt”.
Ishte vonë. E kishin ngrënë kokrrën e ullirit. Kishin dalë para pasqyrës. Socialistët, që Arbnori i quante ‘specialistë’, i kishin joshur si pula në kokra misri për pushtet dhe vjedhje!, dhe i vunë para pasqyrës. Socialistët bënë punën e tyre në sallën e Parlamentit.
Ndërsa këta i treguan botës se ja cilët janë, një lukuni pa tru, pa ligj, pa politikë. Vetëm epshe për ndenjëse. Sikur të mos e kishin ngrënë ullirin, vallë si do të bindej Europa qytetare se ka edhe këtë lloj parlamentarë
I nxorën bojën edhe Drejtësisë Speciale. Drejtësia speciale ka qindra pasqyra si këto, por asnjë herë nuk i ka hetuar as gjykuar. Tani nuk ka më nevojë që SPAK të gjykojë krimin e këtyre; gjykon qytetaria e vendit dhe vetë institucionet e Europës.
Në atë moment kryeministri u ndodh vetëm 100 metra distancë ajrore. Ai bënte gati valixhet për një udhëtim në Europë. Sapo u kthye nga Brukseli, sot në Hagë. Udhëtimi sot ka të bëjë me një gjueti tjetër: Të shihen sy më sy me heronjtë e Çlirimtares së Kosovës, Thaçi e tre të tjerë. Dhe më në fund të bëhet gati kthimi i tyre në atdhe.
Dabëllhanja e Parlamentit paska qenë vetëm një ‘kokërr ulliri’ për PD.
