Nga Alban Daci
Ka një të vërtetë të madhe, grekët e shqiptarët janë popujt më të hershëm e ndoshta më të civilizuarit në Ballkan dhe me gjerë! Duke qenë se zanafilla e dy popujve është pothuajse e njëjtë dhe autokton të dyja palët, është e vështirë që në një garë të gjendet se kush është më i hershëm dhe po ashtu se kush është më i civilizuar! Sigurisht kjo ka qenë një garë e padrejtë! Pse? Greqia e realizojë pavarësinë shumë më para se ne edhe pse një pjesë e historianëve thonë se për pavarësinë e tyre e bën arvanitasit (shqiptarët).
Nuk jam për teza të forta historike me qëndrime të njëanshme! Sigurisht edhe populli grek ka luajtur një rol të rëndësishëm për Pavarësinë, por nuk është më pak edhe roli i shqiptarëve! Me shpalljen e pavarësisë grekët e mbyllen shumë para nesh çështjen e shtetit-komb! Ndërsa ne , me shumë vuajte për shkak të rrethanave sociale e historike e mbyllëm më vonë! Gjithashtu, Greqia pati fatin e madh që pas Luftës II të kishte lidhje të forta më Perëndimin e të ishte një vend i hapur. Kështu ata patën më shumë avantazhe se që të mbronin tezat e tyre historike në auditore të rëndësishme ndërkombëtare! Shpesh duke marrë edhe historinë tonë të tjetërsuar dhe të vete cilësuar si greke!
Mbyllja e Shqipërisë gjatë Regjimit ka qenë një kosto e madhe edhe për çështjet historike e kulturore duke e lënë në hije rolin e shqiptarëve në Ballkan dhe në Mesdhe! Nuk jam i idesë nacionaliste që ne jemi qendra e Botës dhe kjo e fundit rrotullohet rreth nesh! Megjithatë, ca të vërteta duhet të thuhen siç është fakti se zanafilla e Ballkanit qoftë me njerëz, me histori apo civilizim është edhe e shqiptarëve që kanë gjithmonë aty, autokton në tokat e tyre!
Krijimit i shtetit grek nuk ishte në shërbim të Rajonit apo as edhe të shqiptarëve, por ekzistenca e tij dhe modernizimi i tij ishte një kosto e madhe për të ardhmen e shqiptarëve e këtu nuk dua t’i rikthehem historisë! Marrëdhënie e shqiptarëve e grekëve kanë qenë dhe janë të detyrueshme si fqinjë dhe jo vetëm! Vetë fakti se Grekët e bënë para shtetin e tyre e përdorën vazhdimisht këtë forcë si veto që ne të mos e bënim! Greqia vazhdimisht na ka vënë veto për krijimin e shtetit tonë e tashmë vazhdon me të njëjtën linjë duke na e vendosur edhe në anëtarësimin tonë në BE!
Nuk jam i idesë që këto marrëdhënie mund të mbahen me privilegje për njërën palë dhe me kosto për palën tjetër! Mendoj se duhet të jenë marrëdhënie plotësuese në shërbim të Rajonit! Në thelb Greqia ka të drejtën e saj të ketë atë politikë që i leverdis ndaj nesh edhe nëse e mendojnë vetëm në kahun e kostos dhe të padrejtësisë për ne!
Zakonisht kombet ose më mirë shtetet-kombe kanë pasur edhe mosmarrëveshje dhe kjo lidhet me ligjin bazë të marrëdhënie ndërkombëtare, që për të justifikuar ekzistencën ose zhvillimin, një shtet duhet të tregojë epërsi mbi të tjerët e i pari që e paguan zakonisht është komshiu me të cilën ndahet gardhi i pronësisë ose territori influencës për zgjerim apo për epërsi!
Megjithatë, kombet kanë histori si eksperiencën me të mirë dhe ajo i ka mësuar edhe shtetet-kombe më të fuqishme si Franca, Italia e Gjermania që rivaliteti i fortë me përplasje të drejtpërdrejta ushtarake nuk është zgjidhje! Kështu kanë menduar të hyjnë në një fazë të re zhvillimi duke kaluar fobin e kufirit dhe të nacionaliteti. Kështu nga eksperienca e Luftës I dhe e Luftës II nxorën mësime vende si Italia, Franca e Gjermania duke krijuar Europën e bashkuar, sepse menduan se më mirë është të bashkohen ekonomikisht dhe gradualisht politikisht duke përfituar të gjithë me mirëqenie e duke garantuar paqen sesa luftën, shkatërrimin nga të cilat nuk fiton askush!
Greqia nuk ka munduar ta kalojë fobin e territorit dhe të nacionalizmit sidomos ndaj Shqipërisë! Ndoshta kjo lidhet edhe me faktin se në kohën modern nuk ka pasur një luftë të mirëfilltë mes këtyre dy shtete që të kishin në historinë e tyre bilancin e shkatërrimit. Nuk jam për idenë që duhet të ndodh një luftë mes Greqisë dhe Shqipërisë që e para të ndryshojë qëndrimet e saj tashmë të konsideruara primitive dhe të rrezikshme për të ardhmen e përbashkët. Megjithatë, mendoj se mësime historike mund të nxirren edhe duke mësuar nga të tjerët e konkretisht nga Franca dhe Gjermania!
Shqiptarët nuk duhet të merren shumë ose të analizojnë pse Greqia nuk ndryshon, por duhet të mendojnë sesi duhet të mbrojnë interesat e tyre kombëtare. Këtu ka një dallim thelbësor edhe në lidhje me qasjen që kanë! Nëse ne shqiptarët sillemi si nacionalist bëhemi njësoj si Greqia dhe nuk fitojmë gjë e në të njëjtën kohë jemi antieuropian! Vetë historia jonë kombëtare është një histori e jashtëzakonshme, sepse nuk kemi menduar kurrë ti vjedhin apo t’i shtypin fqinjët! Kemi qenë vazhdimisht në rolin mbrojtës e ndonjëherë e kemi bërë mirë e shumë herë e kemi bërë edhe keq!
Nëse shqiptarët janë patriotë ose sillen si të tillë, do të thotë se mbrojnë vlerat e tyre shtetërore dhe kombëtare e të jesh patriot është edhe të jesh pro europian! Megjithatë, mua më shqetëson qasja e tretë që kanë disa ndaj Greqisë: ajo e inferioritetit, frikës apo e paranojës! Sa herë përmendet Greqia në nëpër studio televizive vihet re menjëherë një stepje e të ftuarve që disa flasin nëpër dhëmbë me zë të ulët, disa ndryshojnë subjektin e debatit e disa të tjerë preferojnë të bëhen memecë. Shqiptarët nuk e kanë në dorë se si duhet të jetë politika greke apo qëndrimet greke, por kanë në dorë të caktojnë orientimet dhe qëndrimet e tyre! Bashkëjetesa me Greqinë është e dobishme dhe detyrueshme, por me disa kushte! Të jemi të barabartë, të trajtohemi si të barabartë e të mos kemi asnjë kompleks inferioriteti. Kjo duhet të jetë qasja e Shqipërisë pavarësisht kush është në Pozitë apo në Opozitë!
Alban Daci: Qasja e marrëdhënieve me Greqinë!
Më të fundit13:03 - 28/03/2024