Zaloshnja: Dako shtoi një mandat. Ia “hoqi” Agron Dukës

#NËRADAR


Eduard Zaloshnja

Përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës dhe Bild përbëjnë indicie të forta se janë blerë apo marrë me forcë vota në favor të PS-së në Durrës. Siç e kam theksuar në shkrime të mëparshme, ka një korelacion mes këtyre indicieve dhe rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës në qarkun Durrës. Përflitet se ka, por nuk kanë dalë përgjime për ato zgjedhje në qarqe të tjera. Në këto kushte, të vetmet indicie që mund të gjenden (nëse gjenden) janë ato statistikore. Nëse rezultatet e PS-së në një qark kanë qenë ndjeshëm më të mira se në zgjedhjet paraardhëse, kemi një indicie statistikore për blerje votash.

Para zgjedhjeve të 2017-ës, nga ish-koalicioni i “1 milion shuplakave” u largua LSI-ja dhe PBDNJ-ja. Ndryshe nga PD-ja, PS-ja nuk përfshiu kryetarë partish të vogla në listat e saj, por ata si dhe drejtues lokalë të partive të vogla (si dhe kandidatët e pavarur të majtë, si Dritan Prifti, për shembull) bënë thirrje që përkrahësit e tyre të votonin për PS-në. Edhe Edi Rama u bëri vazhdimisht thirrje votuesve të majtë (të PS-së dhe të partive të vogla të majta), që t’i jepnin mjaftueshëm vota PS-së, për të siguruar të paktën 71 mandate.

Në këto kushte, një objektiv i natyrshëm për PS-në ishte marrja e të paktën 810 mijë votave (aq sa kishin marrë në 2013-ën partitë/kandidatët e majtë, minus LSI-në e minus PBDNJ-në). Por në zgjedhje, PS-ja (plus deputeti Tom Doshi, i cili kishte deklaruar para zgjedhjeve se do të votonte për Edi Ramën) mori 30 mijë vota më pak se sa 810-mijëshi. Thënë ndryshe, ajo realizoi 96% të këtij objektivi (shihni Tabelën 1)

Nga Tabela 1 (ku qarqet janë renditur sipas performacës së PS-së), duket qartë se në qarqet Kukës (ku garoi fuqishëm Safet Gjici) dhe Durrës (ku punoi fuqishëm Vangjush Dako), PS-ja pati një rendiment votash ndjeshëm më të mirë se sa në qarqet e tjera, përkatësisht me 43% dhe 8% më shumë, ose e thënë ndryshe, në Kukës mori 5570 vota më shumë, ndërsa në Durrës mori 5450 vota më shumë. 

5450 votat që shtoi PS në qarkun e Durrësit lanë pa mandat Agron Dukën, i cili e humbi atë për 2600 vota. Por ndërkohë rritja eksponenciale në Kukës nuk prodhoi dot asnjë mandat shtesë për PS. Ajo nxori andej deputete vetëm Mimi Kodhelin.

Ndërsa në qarkun e Elbasanit, PS-ja pati rezultatin më të dobët; mori vetëm 88% të votave që morën para katër vjetësh ajo dhe aleatët.



Skip to toolbar