Dalin 12 emrat e ambasadorëve të rinj të Ramës, mes tyre aktori i njohur dhe ish-kreu i SHISH

AKTUALITET


Një aktor i njohur dhe një drejtues i shërbimit sekret, ndodhen në listën e 12 emrave të rinj, të cilët qeveria i propozon për ambasadorë të Shqipërisë. Petrit Malaj, i cili ka nisur herët një karrierë politike pranë Edi Ramës, pasi nuk e çoi dot rrugën për të hyrë në parlament si deputet i Tropojes, ka marrë besimin e kryeministrit për të qenë ambasadori ynë në Kosovë.

Qemal Minxhozi do ta lërë këtë detyrë, në kulmin e një marrëdhënieje të krisur thellë, mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, të cilëve nuk ju funksionojnë më jo vetëm linjat diplomatike, por siç thotë edhe shefi i qeverisë sonë, as Whatsapp-i.

Në të njëjtën listë, ndodhet edhe propozimi i Ramës për një ambasador të ri në Serbi. Por në këtë shtet, Rama nuk ka zgjedhur si për Prishtinën një aktor. Në Beograd do të shkojë diplomati i karrierës, Bardhyl Canaj, i cili ka shërbyer në Izrael.

Në listën e ambasadorëve të rinj, bie në sy edhe Oljan Kanushi. Ish këshilltar i Ramës, që aktualisht është numri dy i shërbimit informativ shtetëror. Ai propozohet për të shërbyer në Slloveni.

Krahas tij, Genc Pecani dërgohet për një mision diplomatik delikat. Ambasadori i karrierës, propozohet për në Rusi.

Lista tjetër e dërguar në Kuvend, mbizotërohet nga diplomatë karriere, dhe promovime brenda sistemit, ndryshe nga grupi i parë, ku Rama bëri ambasadorë ish-deputetë apo bashkëpunëtorë të tij të afërt.

Kandidatët do të dëgjohen nga Komisioni i Politikës së Jashtme në Kuvend, e më pas do të dërgohen për firmë tek presidenti Bajram Begaj.

Propozimet

Petrit Malaj Kosovë

Oljan Kanushi Slloveni

Bardhyl Canaj Serbi

Genc Pecani Rusi

Qirjako Qirko Hungari

Artur Kuko Holandë

Albana Dautllari Suedi

Mimoza Halimi Poloni

Sokol Dedja Danimarkë

Inid Milo Bullgari

Entela Gjika Spanjë

Ilir Hysa Kuvajt



Skip to toolbar