Policia greke ka ndaluar një kamion frigoriferik ku ishin fshehur jo pak por 80 emigrantë të paligjshëm, duke parandaluar një ngjarje tragjike që mund të ishte e ngjashme me atë në Essex të Anglisë ku 39 emigrantë nga Vietnami vdiqën brenda në kamionin frigoriferik.
Mediat greke njoftojnë se emigrantët e paligjshëm janë zbuluar në qytetin Xanthi në veri të Greqisë. Kushtet brenda makinës ishin asfiksuese dhe emigrantët kishin vështirësi në frymëmarrje. Mosha mesatare e emigrantëve të bllokuar ishin midis 20 dhe 30 vjeç.
Në videon e shpërndarë nga mediat greke mund të shihen kamioni, ambulancat dhe njerëzit në terren duke marrë ndihmën e parë.
Shoferi i kamionit u arrestua, ndërsa emigrantët ishin me kombësi afgane. Greqia është përballur së fundi me një valë të madhe emigrantësh që vijnë nga zonat e luftës nga Siria, Iraku etj, ndërsa kampet e financuara nga BE janë të mbipopulluara.