DASH për Real Story, cilëson njoftim dekretin e Metës për 30 qershorin

Më të fundit


Departamenti i Shtetit e cilëson njoftim dekretin e Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke përforcuar kështu qëndrimin e mazhorancës se vendimi i marrë nga Meta juridikisht është akt nul. DASH e ka cilësuar njoftim dekretin e Presidentit Meta gjatë një përgjigjeje për Real Story të gazetarit Sokol Balla, kur është pyetur se “cili është komenti i DASH sa i përket vendimit të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit”. Pavarësisht se Real Story e cilësoi dekret, DASH është treguar i kujdesshëm në zgjedhjen e fjalëve, duke e cilësuar dekretin njoftim.

“Ne kemi parë lajmet dhe mbetemi në komunikim me aktorët kryesorë për implikimet ligjore të njoftimit. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë dhe vlerësojmë situatën si ajo zhvillohet. Është me rëndësi që të respektohet ligji”, deklarohet në përgjigjen e DASH për Real Story. Lidhur me situatën politike, DASH shpjegon se pozicioni i tyre mbetet i njëjtë. “Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve për të shmangur konfrontimin dhe për të punuar së bashku në mënyrë konstruktive për të ardhmen e Shqipërisë” shprehet zëdhënësi i DASH, i cili jep edhe një mesazh për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. “Partitë e opozitës duhet të kërkojnë një rrugë drejt dialogut me qeverinë lidhur me reformën zgjedhore”, përfundon komenti i DASH”, thotë DASH, duke vendosur përgjegjësinë e krizës pikërisht te sjellja e opozitës. /Real Story



Skip to toolbar