Dekreti i presidentit Meta ka shkaktuar debate në Komisionin e Medias në lidhje me paketën e qeverisë për anti-shpifjen. Shkak është bërë një akuzë e deputetes së opozitës Fatjona Dhimitri e cila i tha ministres së drejtësisë Etilda Gjonaj se gënjen kur thotë se ligji është dakordësuar me OSBE dhe KE. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres e cila tha se nëse nuk kishte vëmendjen e deputetëve ishte gati të largohej nga mbledhja. Në fjalën e saj ministrja Gjonaj tha se maxhoranca i qëndron vendimit për ta rrëzuar në seancë dekretin e Metës. Ajo tha se shumë vende të BE i kanë masat më të ashpra se Shqipëria kur bëhet fjalë për prodhimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme.
“I qëndrojmë argumenteve tona për pasojat që tregu i parregulluar ka sjellë në cilësinë e medias. I qëndrojmë kërkesës për rrëzim të dekretit të presidentit. Qëllimi i paketës anti-shpifje është vendosja e rregullave për të parandaluar cenimin e dinjitetit të njeriut, të drejtat e fëmijëve përmes një procesi të shpejtë administrativ dhe efikas. Një sërë vende si Gjermania apo Kroacia, kanë miratuar paketa më të ashpra anti-shpifje, duke njohur shpifjen si vepër penale.
Ligji ka të bëjë me rregullimin e tregut të gazetarëve. Në përgatitjen e paketës kemi punuar me OSBE e Këshillin e Europës”, theksoi Gjonaj.
I pranishëm në mbledhjen e komisionit të Medias ishte dhe këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj, i cili u shpreh se disa dispozita të kësaj pakete bien në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes, duke përbërë rrezik për interesin publik.
“Një pjesë e dispozitave të ligjit, janë një hap me tendencë pozitive. Presidenti vlerëson ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Konstatohet se disa dispozita bien në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe shtypit. E nevojshme që dispozitat të rishikohen, pasi përbëjnë rrezik të interesit publik.
Këto dispozita përmbajnë elemente të censurës. U jepet fuqi për masa ndëshkuese para se të ketë një vendim të formës së prerë. Masat ndëshkuese krijojnë hapësira që të aplikohen ndaj mediave online që janë kritike me qeverinë apo nuk i përshtaten vullnetit të saj. Një situate e tillë do e vendoste vendin në kufijtë e autoritarizmit dhe do ndikonte në procesin e integrimit europian. Ligji nuk sjell rregullimin e pritshëm”, tha Dervishaj.
Presidenti Meta refuzoi të firmoste paketën e qeverisë për “Anti-shpifjen” duke thënë se ajo bie ndesh me parimet e kushtetutës për lirinë e fjalës dhe se është një përpjekje për vendosjen e censurës nga qeveria. Pavarësisht kësaj maxhoranca ka deklaruar se do ta rrëzojë me votë dekretin e Metës në seancë parlamentare. Ndërkohë që Këshilli i Europës i ka dërguar draftin për këshillim në Komisionin e Venecias.