Pas debateve të zhvilluara dy ditë më herët në strukturat e PS-së, së Shkodrës, kryeministri Rama ka marrë menjëherë masat duke thirrur urgjent në Tiranë, koordinatorët e Veriut, deputetët dhe krerët e bashkive të qyteteve të veriut të vendit.
Në selinë e PS-së po diskutohet në lidhje me organizimin e strukturave të PS-së në Shkodër, pasi në mbledhjen e zhvilluar atje dy ditë më herët PS-ja në Shkodër ka shkrirë të gjitha strukturat, pas ankesave të shumë anëtarëve për katapultimin e personave jashtë partisë.
Sekretari organizativ, Arben Pëllumbi, që njëkohësisht është edhe koordinator për degën e Shkodrës, duke folur pas takimit me dyer të mbyllura, pranoi faktin se kishte pasur debate, duke e cilësuar këtë si një konflikt personal të disa individëve. Disa prej anëtarëve të PS-së në Shkodër kanë shprehur ankesa për mungesën e vëmendjes nga PS-ja në qendër, duke theksuar se në pozicione drejtuese në qytetin verilindor po emërohen persona nga Tirana pa asnjë kontribut.
Tani situatën e ka marrë në dorë Rama, i cili është edhe kryekoordinator i PS-së, për Veriun e vendit.