“Debati i PS për Shkodrën”, Basha sulmon Tom Doshin

POLITIKË


Kreu i opozitës Lulzim Basha ka sulmuar Tom Doshin, duke e cilësuar si drejtues të PS në Shkodër që i siguron votat nga krimi i organizuar. Duke iu referuar debatit në mbledhjen e PS në Shkodër pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit dhe para mbledhjes së këshillit bashkiak, i publikuar nga Real Story, Basha ka hedhur akuza ndaj Doshit se bashkëpunëtorët e tij janë trafikantë të fuqishëm droge.

“Gjatë debatit të socialistëve me Senida Mesin, për të mos ia dorëzuar Shkodrën Tom Doshit siç urdhëronte Edi Rama, flitet për votat e siguruara në Velipojë. Senida Mesi ua mohon kontributin socialistëve dhe ia njeh atë një personi jashtë Partisë Socialiste. Ky person është Pëllumb Gjoka, një nga trafikantët më të fuqishëm të drogës në zonën e Velipojës dhe të Shkodrës, bashkëpunëtor i bandës të Bajrave. Në Tiranë ai vesh kostumin e biznesmenit që gëzon mbështetjen e Edi Ramës. Për Edi Ramën narkotrafikanti Pëllumb Gjoka mbledh vota, në restorantin e tij në qendër të Tiranës, Edi Rama darkon me familjen dhe fton shpesh miq të huaj”, u shpreh Basha në një reagim të mërkurën.

Sipas tij, Pëllumb Gjoka është ortak me Tom Doshin në një nga hotelet më luksoze pranë bllokut të ambasadave, ndërsa akuzon kryeministrin se e mbron atë. “Dëshmia e Senida Mesit se votat për Edi Ramën në Velipojë i mbledh një trafikant droge që pastron paratë e krimit në Tiranë, rikonfirmon se vendi qeveriset nga një kryeministër i kapur nga krimi”, deklaron Basha.

Një ditë para mbledhjes së këshillit të ri bashkiak të Shkodrës, të dielën më 18 gusht, dega lokale e Partisë Socialiste e këtij qyteti ka zhvilluar një mbledhje, ku është diskutuar rreth zhvillimeve në bashkinë e Shkodrës, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit. Mbledhja e drejtuar nga ish zëvendës kryeministrja Senida Mesi, dhe me praninë e deputetëve të PS në Shkodër, është shoqëruar nga debate të forta. Realstory.al ka siguruar procesverbalin e kësaj mbledhje, ku shihet se disa anëtar të kryesisë së PS në Shkodër shprehin zhgënjimin e madh për situatën e krijuar, duke thënë se ndihen ‘të turpëruar’, ndërsa është vendosur parimisht që kryetare e këshillit bashkiak të propozohet Brisela Kadia, e cila është kundërshtuar nga disa të pranishëm.



Skip to toolbar