“Jemi me të vërtetë të kënaqur që Komisioni i Posaçëm i Apelit për Imigracionin mori vendim në mbështetje të pozicionit të Qeverisë sonë për këtë çështje. Besoj e kuptoni që përparësia e qeverisë sonë është siguria dhe sigurimi i Mbretërisë së Bashkuar dhe qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ne do të mbrojmë me forcë çdo vendim të marrë në këtë kuadër”
Këto deklarata, në emisionin Real Story, të ambasadorit britanik në largim, që përforcojnë qëndrimin e qeverisë britanike për ta shpallur non grata ish-kryeministrin Berisha, kanë sjell sërish përplasje mes kryetarit dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike.
Në daljen e zakonshme të Berishës, te Ballkoni, për të folur me mbështetësit e tij, ai drejtoi gishtin e akuzës te Lulzim Basha, për shpifje lidhur me lidhjet e ish-kryeministrit me njerëz të botës së krimit.
“Alistair King-Smith ambasadori i Madhërisë së tij, ka marrë shpifjen e Lulzim Bashës dhe e ka përcjellë si të vërtetë në qeverinë e tij. Se Berisha, ka lidhje me Suel Çelën.”
Lulzim Basha nuk vonoi në reagim. Sulmet që i bëri Berisha, Basha thotë se janë mashtrime të lodhura e të ricikluara, për të fshehur një qëllim tjetër.
“Mashtrimet që riciklohen nga kati i 8-të nuk janë gjë tjetër veçse dallaveret e radhës për të fshehur pazarin me Ramën për mbylljen e listave dhe vendimin e 11 qershorit”
Sali Berisha u shpall non grata nga Britania e Madhe korrikun e 2022 dhe ky vendim i qeverisë u rikonfirmua në qershor të këtij viti nga Komisionin Special i Apeleve të Emigracionit ku vetë Berisha bëri ankimim.