Maturantët kanë komentuar në “Real Story” në News24 deklaratat e ministres së Arsimit Sportit dhe Rinisë Besa Shahini pas protestës së tyre për provimin e gjuhë-letërsisë. Elia Avdullari, maturante “Qemal Stafa” tha se irritohet sa herë dëgjon etiketimet dhe fjalët që përdor për maturantët.
Ndërsa Pavlo Suka maturant tek “Sami Frashëri” thotë se fjala ministër do të thotë shërbyes dhe ministrja Shahini duhet të marrë përgjegjësitë e saj.
Elia Avdullari: Është shumë për të ardhur keq kjo që dëgjoj. E kam dëgjuar disa herë dhe gjithnjë e më shumë irritohem. Irritohem nga fjalët që përdoren dhe etiketimet që zonja ministre na bën ne duke marrë parasysh edhe moshën tonë dhe situatën ku ndodhemi. Na ka cilësuar si nxënës që kërkojmë nota më të larta, është totalisht gabim. Ndryshon fjala, të kërkosh notë të lartë dhe të pretendosh të arrish lartë bazuar në dijet e tua. Ne, në qoftë se do ishim ata nxënës që zonja na mendon sot do ishim si një pjesë e mirë e atyre maturantëve që na shohin nga shtëpia, mjaftohen me një story në Instagram dhe kaq. Presin të mbarojnë, t’i heqin qafe këto provime dhe të shijojnë verën por përkundrazi duke ditur potencialin që ne kemi dhe djersën që kemi derdhur gjithë këto vite jemi atje në shesh. Është shumë për të ardhur keq që na quan opozitarë. Megjithatë ne jemi vetëm 18 vjeç dhe kemi arritur ta kuptojmë që sa herë preken interesat e dikujt normalisht gjenden etiketime të tilla.
Pavlo Suka: Sigurisht që ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm pasi për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit vijnë këto akuza drejt nesh. i kam ndjekur deklaratat e ministres. Stërpolitizim, aplikim në jetë, logjikë. Në aplikimin në jetë unë mendoj që njohuritë gjuhësore janë shumë më të vlefshme, të cilat ne nuk i patëm në këtë provim dhe logjika jonë mund të matej shumë mirë gjatë procesit mësimor. Në maturë ne erdhëm për gjuhë-letërsi nuk erdhëm as për test logjike e as për test inteligjence. Sa i përket asaj që ne kërkojmë, ai kërkimi i faljes duhet patjetër sidomos pas deklaratave të turpshme të përgjegjësve, të cilët nuk marrin përgjegjësitë e tyre dhe më pas duhet zgjedhje. Pyetja më absurde është edhe sa ditë do rrini. Unë s’kam dalë për të ndenjur 1 muaj unë kam dal sot e dua sot zgjidhje. Duhet të marrin përgjegjësi. Pse është kaq frikë të marrësh përgjegjësi kur je në një post drejtues dhe duhet që dikush t’i shpjegojë ministrave tanë, të paktën ministres së arsimit që fjala ministër do të thotë shërbyes nuk do të thotë drejtues apo shtypës apo bëj çfarë të duash. Ti duhet t’i shërbesh maturantëve. Maturantët janë tuajit vetëm kur ju jeni të maturantëve. Siç tha maturantët tanë, ne nuk jemi maturantët e saj ashtu siç e tha ajo por për shkak se ajo nuk është ministrja jonë, për shkak se ajo nuk po merr përgjegjësitë e duhura.
Janë të paktën 10 pyetje absurde vetëm në gjuhë që duhet të hiqen kategorikisht dhe rivlerësimi i pikëve bazuar në heqjen e atyre pyetjeve dhe zgjerimi i kufirit të notave për shkak se elementë që mund t’i shërbenin këtij populli po digjen dhe pastaj themi pse nuk ka një Shqipëri të mirë.