Ish- ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i ftuar në emisionin ‘Real Story’ në News 24 thotë se do të ketë edhe kryebashkiakë të tjerë me të shkuar kriminale, të cilët do të kandidojnë dhe rikandidojnë për këto poste, pasi sipas tij nuk mjafton vetëm ligji i dekriminalizimit për t’i ndaluar që të marrin funksione publike. Manjani thotë se 5 vite pas implementimit të ligjit të dekriminalizimit është faktuar se nuk ka garanci dhe duket qartë që persona me të shkuar kriminale vijojnë të kandidojnë.
“A është garanci i mjaftueshëm ligji? Kemi ndërhyrë në Kushtetutë për dekriminalizimin. A mjaftojnë ligjet? Mesa duket jo dhe qartësisht jo. Do të ketë edhe të tjerë”, tha Manjani.
Por, duke u ndaluar te 30 qershori, Manjani theksoi se 2019 ishte një vit i keq politik, kurse ka shtuar se është problem fakti se në Shqipëri nuk po bëhen një palë zgjedhje normale. “Unë mendoj se Edi Rama ka dështuar në zgjedhjet lokale. Ata nuk ishin zgjedhje, por pisllëk. Ata ishin demonstrim force personale dhe idiote. Na janë bërë zgjedhjet makth. I bëri Kosova, Serbia, Maqedonia etj. Ne e kemi makth. Viti i shkuar ishte një vit i keq politik. PS ka qenë dikur partia më demokratike, ndërsa sot është katandisur në mono-parti. Nuk flasim dot as për reformë, as për Kushtetutë, asgjë. Ky është skandal. I kemi hapur rrugën budallait”, tha Manjani.