Dëme të mëdha nga tajfuni që goditi Vietnamin, Kinën dhe Filipinet, të paktën 22 viktima

BOTA


Pas Kinës dhe Filipineve, tajfuni ka goditur edhe Vietnamin duke shkaktuar dëme të mëdha. Sipas Sky News, ka shkuar në 22 numri i personave që kanë humbur jetën në këto vende të goditura nga tajfuni.

Dëme të mëdha janë raportuar edhe në Hainan, që ka një popullsi me më shumë se 10 milionë banorë, ndërsa rreth 800 000 banesa mbetën pa energji elektrike.

Tajfuni shkaktoi dëme të konsiderueshme në Filipine, ku u prekën më shumë se 2.3 milionë njerëz, në provincat veriore dhe qendrore. Më shumë se 22,200 njerëz u zhvendosën nga shtëpitë e tyre dhe fluturimet e brendshme u ndërprenë për ditë të tëra.

Ndërsa Vietnami dukej se ishte më i përgatitur, qeveria e vendit evakuoi më shumë se 50,000 njerëz nga qytetet bregdetare dhe vendosi 450,000 personel ushtarak përpara mbërritjes së tajfunit. Katër aeroporte pezulluan operimet për disa orë, duke anuluar më shumë se 300 fluturime dhe transporti publik gjithashtu u ndal.

Tajfuni Shanshan javën e kaluar goditi Japoninë jugperëndimore, stuhia më e fortë që ka goditur vendin në dekada./abcnews.al/



Skip to toolbar