Shkolla Emin Duraku në Tiranë ka pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit dhe kësaj godine i është vendosur shiriti që tregon se aty nuk mund të zhvillohet mësim pasi ka pësuar dëmtime në strukturë.
Kjo shkollë është e përbërë nga dy godina, fillorja dhe 9-vjeçarja të cilat si pasojë e tërmetit janë shkëputur. Nga tërmeti është dëmtuar vetëm fillorja, e cila është shtuar në vitin 2006 si pasojë e rritjes së kapacitetit. Në këtë pjesë shtesë të shkollës trarët nuk ishin vendosur mbi kolonat, por në mure.
Sipas ekspertëve shkolla ka plasaritje të thella në muret ndarëse, dëmtim i traut të katit të tretë shtesë dhe plasaritje të thella të suvasë në katin e tretë shtesë, ndaj dhe këshillohet të pezullohet aktiviteti deri kur të bëhen përforcimet e nevojshme.
Ndërsa shkolla e Përgjithshme Selman Daci në Bubq është vlerësuar se duhet shembur pasi ka dëmtime të rënda. Nuk dihet ende kur do nisë shembja e saj, ndërkohë që është njoftuar se nxënësit e kësaj shkolle do të transferohen në Fushë Krujë. Shkolla e Bubqit ka 261 nxënës, duke nisur nga cikli parashkollor deri në vitin e fundit të gjimnazit. Ajo është ndërtuar në vitin 1988.