Menjëherë pas publikimit të disa dokumenteve nga PD, e cila pretendon se i përkasin prokurorisë së Firences për dënimin e Valdrin Pjetrit, Partia Socialiste ka reaguar nëpërmjet Taulant Ballës, duke i kërkuar prokurorisë të hetojë rastin dhe duke hedhur poshtë akuzat se janë në dijeni të këtyre fakteve, siç pretendon PD.
“Partia Socialiste ka përcaktuar qartë një vijë të kuqe, për të gjithë anëtarët e saj. Kjo vijë e kuqe nuk përjashton askënd, që nga Kryetari i Partisë deri tek anëtari i thjeshtë. Për Partinë Socialiste të gjithë janë të barabartë para ligjit, askush nuk është mbi ligjin dhe ligji është mbi çdo individ dhe interes politik. Pavarësisht opinionit tonë mbi qasjen destruktive dhe gjuhën baltosëse, që karakterizojnë sjelljen publike të Partisë Demokratike, ky rast konkret është një nga ato raste, kur politika duhet t’i referohet vetëm ligjit. E vërteta mbi këtë rast, s’mund të zgjidhet sipas preferencës apo interesit politik. Ajo duhet të zbardhet deri në fund përmes rrugës së përcaktuar qartësisht në ligj”, deklaroi Taulant Balla, duke vënë në dukje faktin se Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, janë vënë në lëvizje, duke kërkuar zyrtarisht informacionin përkatës pranë autoriteteve italiane.
Sipas tij, Partia Socialiste ka kryer si për çdo kandidaturë të gjitha verifikimet ligjore që mundëson statusi ligjor i partisë. “Me këtë rast, hedhim poshtë me neveri akuzat lidhur me ndonjë marrje në dijeni, nga burime të ashtuquajtura ‘diplomatike’ apo të çfarëdolloj tjetër, mbi pretendimin e Partisë Demokratike. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe do t’i referohet gjykatës, në formën e padisë njësoj si për shpifje të tjera”, theksoi sekretari i përgjithshëm i PS. Partia Socialiste garanton opinionin publik dhe komunitetin e nderuar të Bashkisë së Shkodrës, se përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, do të qëndrojë edhe në këtë rast në anën e ligjit dhe të interesit publik.