Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në fjalën e tij përpara qytetarëve, ka prezantuar nismën “Deputeti që duam”.
Balla tha se kjo nismë synon që të ketë pranë PS-së talentët më të mira, duke shtuar se Partia Socialiste dëshiron që të krijojë një ekip fantastik politik, për të fituar zgjedhjet e 25 prillit.
Fjala e mbajtur nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla:
Reforma zgjedhore shënon një moment historik në demokracinë shqiptare. Hapja e listave nuk është vetëm një hap më pranë BE-së dhe formës evropiane të përfaqësimit. Eshtë një formë e re e pushtetit të qytetarit shqiptar, të cilit i takon me të drejtë kjo fuqi.
Tashmë nuk do të votoni më vetëm për emrin e partisë. Nuk do të votoni më vetëm për kreun e partisë. Emri në fletëvotim tani do të jetë dikush që ju me gjasë e njihni.Mund të jetë dikush nga rrethi juaj, dikush nga rruga juaj, mund të jesh ti.
Ky ndryshim përfaqëson thelbin e vlerave të PS. Ne duam që njerëz të freskët, të rinj, të talentuar të vijnë në parlament dhe të përfaqësojnë zonat e tyre elektorale. Ne e kemi nisur këtë fushatë në mënyrë që të gjejmë kandidatët më të mirë nga të gjitha, rajonet, qytetet, nga i gjithë vendi. Ne e kuptuam se mënyra më e mirë për të arritur Shqipërinë që duam është të kemi deputetin që duam.
Ne j’u bëjmë thirrje njerëzve të aplikojnë apo të nominojnë dikë që ata njohin, që ata besojnë se do të t’i përfaqësonte denjësisht ata. Ne jemi duke kërkuar për njerëzit më entuziastë, të kualifikuar dhe më të përgjegjshëm, për të qënë pjesë e listës së PS. Ne do t’i shtojmë listës sonë këta njerëz të rinj, prandaj kjo fushatë do të bëjë vërtet ndryshim.
PS është partia e parë në Shqipëri që dëshiron të hapë listën për njerëzit. Na duhet ndihma juaj për të formuar listën më të mirë për zgjedhjet parlamentare. Ne duam që ju të jeni pjesë e saj.
Përvoja e vendeve evropiane me votim në listë të hapur tregojn se kandidatët po kthehen për të kërkuar mbështetje dhe miratim nga qytetarët, më shumë sesa partitë e tyre dhe udhëheqësit e tyre. Hulumtimet tregojnë se ky sistem mundëson përzgjedhjen e politikanëve më të mirë, më të kualifikuar dhe të përkushtuar.Ata vlerësohen dhe zgjidhen sipas performancës së tyre.
Ajo që i ndodhi PD është një histori paralajmëruese. Ndryshe nga PD që dëboi të gjithë njerëzit e mirë, të gjithë njerëzit më të kualifikuar dhe të përkushtuar dhe lejoi që partia e tyre të vyshket, ne duam të tërheqim talent të ri.
PS dëshiron të jetë partia e parë që do t’ju japë pikërisht ata përfaqësues më të mirë që do t’ju përgjigjen . Ne duam të jemi shtëpia e brezit të ri të politikanëve, atyre që do të gjykohen dhe zgjidhen nga ju që nga dita e parë. Me këtë brez të ri do të fillojmë një epokë të re të Shqipërisë. Një epokë ku të rinjtë do të dëshirojnë të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Ky është qëllimi ynë.
Ne nuk mund të theksojmë mjaftueshëm se sa e rëndësishme është të zgjedhim njerëzit e duhur në këtë moment. Ata që do të kenë mbështetjen e komunitetit që prej fillimit do të kenë fuqinë për të sjellë ndryshimet e vërteta.
Nëse jeni ju, ose dikush që njihni, ne duam ta dimë! Na shkruani, aplikoni, procesi është shumë i drejtpërdrejtë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim, na ndihmoni të përfshijmë emrat më të mirë në listën tonë.