Dërguan ushqime, vriten 7 punonjës të ndihmave në Gaza

BOTA


7 punonjës të ndihmave janë vrarë në Gaza si pasojë e një sulm ajror izraelit. “World Central Kitchen” tha se punëtorët vijnë nga vende si Britania e Madhe, Polonia dhe Australia.

Të vrarët ishin pjesë e një kolone që u godit ndërsa po dilte nga një magazinë me ushqime Deir al-Balah në Gaza qendrore, ku ekipi kishte shkarkuar më shumë se 100 ton ndihma ushqimore humanitare të sjella në Gaza nëpërmjet rrugëve detare.

Ne jemi të vetëdijshëm për raportet se anëtarët e ekipit World Central Kitchen janë vrarë në një sulm të ndërmarrë nga forcat izraelite  ndërsa punonin për t’iu ofruar ndihmë dhe ushqim të pastrehëve në Gaza. Kjo është një tragjedi. Punonjësit e ndihmës humanitare dhe civilët nuk duhet të jenë kurrë një objektiv,” tha “World Central Kitchen” në një deklaratë në X. Pas këtij sulmi tragjik organizata ka ndaluar operacionet në Gaza.

Sulmi shënon një pengesë potencialisht të madhe në përpjekjet për të ofruar ndihma nga deti pasi Izraeli kufizon shumë hyrjen në Gazën veriore, ku ekspertët thonë se zia e bukës është e afërt.

Ushtria izraelite tha se po bënte një rishikim të plotë në nivelet më të larta për të kuptuar rrethanat e asaj që e quajti një incident tragjik. Por në një deklaratë, grupi islamik Hamas tha se sulmi i ndërmarrë nga Izraeli kishte për qëllim terrorizimin e punonjësve të agjencive ndërkombëtare humanitare, duke i penguar ata nga misionet e tyre.

Sulmi u dënua nga shumë organizata joqeveritare që gjithashtu ofrojnë ndihmë në Gaza mes krizës akute të urisë. Qiproja, Arabia Saudite si dhe kryeministri i Australisë Antony Albananese dënuan sulmin duke e cilësuar shkelje të ligjit ndërkombëtar ndërsa kërkuan një hetim të plotë dhe ndërveprim të menjëhershëm që punonjësit e ndihmave të mos kthehen në objektiva.

“World Central Kitchen” operonte me më shumë se 60 kuzhina në Gazën qendrore e jugore, duke ofruar qindra mijëra vakte çdo ditë. Që nga fillimi i veprimtarisë në vitin 2010, organizata ka shpërndarë ushqim për komunitetet e goditura nga fatkeqësitë natyrore.

Tre anije ndihme nga Qipro mbërritën të hënën me 400 ton ushqime dhe furnizime nga “World Central Kitchen” dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Grupet e ndihmës kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për një armëpushim humanitar, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për të suportuar njerëzit në nevojë. Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë kaluar muaj duke u përpjekur për të ndërmjetësuar një armëpushim, por bisedimet indirekte midis Izraelit dhe Hamasit ende mbeten të bllokuara.



Skip to toolbar