Policia ka shpallur në kërkim 29-vjeçarin Noel Disha i cili dyshohet se është autori i vrasjes te Astiri të Vilson Tafçiut, me të cilin ishin shokë të ngushtë, hynin e dilnin nga shtëpitë e njëri-tjetrit dhe kishin qëndruar bashkë në emigrim në Francë dhe Belgjikë. Policia arriti të zbulonte autorin e vrasjes bazuar nga pamjet filmike të kamerave të ambientit ku Vilsoni u qëllua për vdekje me 3 plumba si dhe nga deklarimet e dëshmitarëve.
Fillimisht u tha se vrasja ka ndodhur për shkak të një sherri të çastit, por grupi hetimor ka dyshime se vrasja e të riut nga Dibra mund të ketë ndodhur për shkak të prishjes së ndonjë pazari nga shitja e lëndëve narkotike, aktivitet për të cilin ai ishte dënuar në Francë, por që ka dyshime se mund ta ketë vazhduar edhe pas deportimit në Shqipëri.
Rreth orës 20:45 të së hënës, Vilson Tafçiu ka qenë duke pirë kafe me dy vajza në një prej lokaleve më të frekuentuara në zonën e “Astirit”, në Unazën e Re, në Tiranë. Në atë kohë, brenda lokalit është futur një person, i cili është drejtuar te tavolina dhe i ka kërkuar 28- vjeçarit që të dilte për pak sekonda jashtë me të, pasi do të sqaronte diçka. Të paktën siç kanë deklaruar dy vajzat që e kanë parë personin e dyshuar, nga mënyra se si kanë komunikuar dy të rinjtë, dukej që kishte një njohje të mëparshme mes tyre.
Tafçiu është ngritur nga tavolina dhe ka dalë jashtë bashkë me personin që e kërkoi. Të dy kanë kaluar në anë të lokalit, pranë një rrugice dhe brenda pak sekondash, ai është qëlluar me armë zjarri. Nga verifikimet e kryera në sistem, 28-vjeçari rezulton të jetë deportuar nga autoritetet franceze më 6 nëntor të vitit 2018.
Sipas të dhënave që ka verifikuar grupi hetimor, Vilson Tafçiu rezulton të jetë larguar nga Shqipëria më 7 mars të vitit 2018 dhe ka qëndruar në Francë. Atje është arrestuar disa ditë më pas, konkretisht më 12 mars 2018, pasi u kap duke shpërndarë lëndë narkotike. Drejtësia franceze e ka dënuar me një vit heqje lirie, por pasi ka qëndruar 8 muaj në paraburgim, është vendosur që të deportohet në Shqipëri.