Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. Ai përmes një shkrimi në “Facebook”, tha se brenda partisë PSD do të organizohen zgjedhjet e reja dhe se ai nuk do të kandidojë më për asnjë pozitë brenda partisë. Dorëheqja vjen pas dështimit të partisë në zgjedhjet e 6 tetorit, ku Ahmeti tha se përgjegjësia është e tij dhe se aktualisht do të merret vetëm me postin e Kryetarit të Prishtinës.
“Meqenëse tani kanë kaluar më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kemi pas kohë si Parti Socialdemokrate që të vlerësojmë rezultatin zgjedhor dhe arsyet për rezultatin zgjedhor. Gjatë kësaj periudhe kemi diskutuar në kryesi disa herë. Përderisa janë diskutuar arsye të ndryshme, ka qenë një emërues i përbashkët i analizës, e ajo ka qenë që nuk drejtojmë gishta te asnjëri individualisht sepse të gjithë kemi pas përgjegjësi për vendimet e marra e për të cilat besojmë se kanë qenë të arsyeshme e të drejta.
Natyrisht se përgjegjësia më e madhe është e imja si kryetar i subjektit. Për të mos kërkuar përgjegjësi nga asnjëri individualisht, si kryetar i subjektit kam kërkuar mbledhjen e Kuvendit të PSD si organ më i lartë vendimmarrës në subjekt. Meqenëse edhe Statuti i PSD kërkon mbajtjen e zgjedhjeve pas zgjedhjeve nacionale për Kuvendin e Kosovës, sot kam kërkuar nga Kuvendi i PSD mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë duke filluar nga kryetari. Kjo na mundëson që kolektivisht të reflektojmë dhe të marrim përgjegjësi si parti. Ky propozim u aprovua në mënyrë unanime dhe që nga sot PSD do të ketë kryetar të ri dhe Këshill të ri. Pastaj Këshilli do ta votojë kryesinë e re dhe pozitat tjera udhëheqëse në parti.
Po ashtu ju njoftoj se unë kam vendosur që të mos kandidojë për asnjë pozitë në parti. E para si marrje e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor, por arsyeja kryesore është angazhimi kryesor dhe i vetëm i imi në Komunën e Prishtinës. Tash e tutje dhe deri në përfundim të mandatit në Komunën e Prishtinës unë nuk do të marr asnjë angazhim tjetër në asnjë institucion tjetër duke u fokusuar plotësisht në përmbushjen e premtimeve të dhëna në vitin 2017,” shkruan Ahmeti.
Pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit, mediat kosovare shkruajnë se kandidat i vetëm për Kryetar të PSD-së, është Dardan Molliqaj.