Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të kenë një dakordësim mes tyre duke mos krijuar dot një marrëveshje për qeverisjen e vendit. Lajmi është dhënë nga vetë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një video-mesazhi në profilin e tij në “Facebook”, ku ka thënë se oferta e pestë dhe e fundit që i ka bërë LDK-së është refuzuar mbrëmë nga partia e Isa Mustafës.
Kurti ka treguar se oferta e tij e fundit ka paraparë që posti i kryeparlamentarit t’i takojë LDK-së, ndërsa dy nënkryetarët e parë Lëvizjes Vetëvendosje. Në lidhje me postin e presidentit, Kurti shprehet se nëse LDK-ja do ta këtë vetë në dorë këtë, atëherë duhet t’ia japë Vetëvendosjes një ministri me tepër. Ai ka thënë se kjo ministri është Ministria e Punëve të Brendshme.
Kurti ka bërë me dije se LDK-ja duhet ta propozojë emrin për president, vetëm kur të mos kenë një kandidat konsensual për këtë post.
Kosova ditën e enjte do të zhvillojë seancën e parë të konstituimit të Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, por kjo do të bëhet pa një marrëveshje qeverisëse mes partisë fituese Vetëvendoja dhe LDK-së për bashkëpunim mes tyre. Në video-mesazhin e Kurtit, cilësohet se askush nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje të reja, por do të vijojnë të presin për një dakordësim.
“LDK refuzoi mbrëmë ofertën për qeverisje. Është obligim i imi që t’u njoftoj që t’u njoftoj se nesër do të shkojmë pa dakordësi. Oferta ime e datës 23 Dhjetor u refuzua dje, ajo e kishte afatin deri në mesnatën e mbrëmshme dhe kishte tre pika.
Pika e parë; Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe n/ kryetari i parë, LDK-së i takon n/ kryetari i dytë. Por le ta bëjmë rokadën, krye-parlamentarin ta marrë LDK-ja, ndërsa Vetëvendosja dy n/kryetarë.
Pika e dytë e presidentit, e lëmë për më vonë, por nëse LDK-ja insiston që nominimi të bëhet nga ajo, ne të na shtohet ministria e Brendshme. Nominimi i LDK-së për kandidatin për Presidentit të bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet jashtë partia konsensual. Dhe kur të përcaktohet do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosjes.
Pika e tretë; sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ndahet. Kultura dhe Rinia i kalojnë Arsimit, Sporti Shëndetësisë. Pakicat jo serbe marrin pushtetin lokal, ndërsa pakica serbe ministrinë për komunitetet.
Kanë kaluar 80 ditë nga zgjedhjet dhe 30 ditë nga certifikimi që na nxorën fitues. Gjatë bisedimeve kemi bërë katër kompromise, ndërsa LDK-ja asnjë. Programi im është 50% nga i LDK-së, zv/ kryeministri i parë i LDK-së, 5 ministri të LDK-së, e cila zgjodhi si të përzgjidhen, meqë donte të zgjidhte e para. Oferta që u refuzua dje ishte koncesioni ynë i pestë. Më shumë se kaq nuk mundemi, nuk duam dhe nuk kemi ku shkojmë. I dhamë subjektit të dytë gjysmën e programit dhe qeverisë.
Tani duhet të presim, pritja i kushton shtetit, por po detyrohemi meqë nuk duam zgjedhje të reja, por institucione të reja, aty mund të arrijmë nëse udhëhiqemi të dyja palët nga drejtësia, detyra qytetare dhe transparenca. E di që jeni lodhur, si unë, por ndryshimin që keni prodhuar në 6 tetor nuk do të lejojmë të zvogëlohet. Ky është moment historik. LDK e ka në dorë përcaktimin për ndryshimin” deklaroi Kurti.