Dhuna e grave, Braçe: Nuk humb burrëria nga respekti

AKTUALITET


Zëvendëskryeministri Erjon Braçe ka ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave, duke iu drejtuar burrave me një mesazh të fortë, pikërisht në ditën kur në gjykatë u paraqit personi i akuzuar për vrasjen makabre të kunatës në Paskuqan. Kjo vrasje ka tërhequr vëmendjen e numrit dy të qeverisë, duke apeluar ndaj “burrërisë” së atyre që u marrin jetën vajzave e grave.

“Java që mbyllet sot, riktheu barbarinë tonë ‘burrërore’ kundër grave e vajzave në këtë vend! Pas çdo krimi qëndron një kriminel, pas çdo vrasje të një gruaje, vajzë, qëndron një barbar!”, thotë Braçe. Në reagimin e tij, Braçe thotë se respekti, dinjiteti dhe dashuria ndaj një gruaje nuk e zhbën “burrërinë”. Për këtë, ai sjell në vëmendje një foto të një prej kompozitorëve më të mëdhenj në Itali, Ennio Morricone duke puthur me përulje dhe respekt dorën e presidentes së Senatit të Italisë, Elisabetta Alberti Casellati.

“Të ngresh dorën e të mbysësh një grua, në këtë vend është bërë e thjeshtë. Po këtë, këtë që sheh në foto a e bën dot? Nuk të zhbën, nuk të humb burrëria prej respektit, dinjitetit, dashurisë, mbaje mend këtë! Dua ta sjell tingullin e jashtëzakonshëm të Ennio Morricone si homazh për gratë e vajzat që barbaria burrërore ju mori jetën këtë javë! Dëgjoje! Mbase kupton çfarë ke bërë!”, shprehet Braçe.



Skip to toolbar