Dhuna ndaj grave, Rama paralajmëron masa të ashpra

POLITIKË


Kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë po përgatit një paketë të re ligjore për ashpërsimin e masave për dhunën ndaj grave. Fjalën para strukturave të PS, Rama e nisi me plagën e shoqërisë shqiptare, atë të dhunës ndaj grave dhe se si drejtësia ka falur burrat dhunues.

Kryeministri tha se Ministria e Drejtësisë dhe gratë deputete janë duke përgatitur një paketë për të vënë drejtësi me sistemin e ri ndaj dhunuesve që janë kthyer në sallën e gjyqit si përsëritës.

“Plaga e madhe e krijuar në organizimin e shoqërisë nga një sistem drejtësie i kalbur dhe korruptuar prek integritetin fizik dhe dinjitetin e grave. Janë rrëqethëse dhe jo të pakta rastet kur dhuna ndaj grave ka kaluar përmes sallës së gjyqit dhe dhunuesit janë shpallur të pafajshëm. Ashtu sikundër janë rrëqethëse edhe rastet e përsëritjes së dhunës nga të njëjtët persona të cilët kanë dalë të pafajshëm përpara gjyqit dhe janë rikthyer në sallën e gjyqit si dhunues përsëritës. Ky është një aspekt që prek të drejtën në këtë vend, do të adresohet me siguri me shumë drejtësi dhe efikasitet nga sistemi i ri i drejtësisë. Një grup kolegesh deputete së bashku me ministren e drejtësisë janë angazhuar në një proces pune për të rishikuar legjislacionin, për të ndërmarrë një hap domethënës në adresimin e dhunës ndaj grave, jo vetëm në aspektin e masave por edhe të mbështetjes ndaj tyre”, deklaroi kryeministri.

Rama foli edhe për amnistinë e fundvitit që në fokus do të ketë pikërisht lehtësimin ndaj grave të dhunuara si dhe të moshuarve. “Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur edhe projektin e një amnistie të fundvitit që do të adresojë nevojën për të lehtësuar gratë e dhunuara si dhe më të moshuarit bashkë me to”, tha Rama. Një amnisti të tillë e paralajmëroi edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj përballë gazetarit Sokol Balla në Real Story, ku deklaroi se në fokus do të jenë gratë e dënuara.



Skip to toolbar