Është ekstraduar nga Italia një 28-vjeçar shqiptar i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.
Shtetasi me iniciale K.H, 28 vjeç lindur në Kurbin ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në vitin 2015 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë.
28-vjeçari akuzohet për një vrasje të ndodhur në datën 10 korrik 2015, në Sarandë. Si rezultat i një mosmarrëveshjeje për motive të dobëta mes pronarit të një autolavazhi makinash, 28-vjeçari në bashkëpunim me shtetasit E. M., G. H. dhe E. H., kanë goditur me shkop bejsbolli dhe me tytën e pistoletës dhe më pas e kanë qëlluar me plumba pronarin e lavazhit duke e lënë të vdekur në vend.