Dhunuan punonjësit e IKMT te Astiri, 1 në pranga, 7 në kërkim

AKTUALITET


Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Sh.S. 50 vjeç, banues në Tiranë dhe ka shpallur në kërkim 7 persona të tjerë, të cilët akuzohen se gjatë ditës së enjte dhunuan me mjete të forta duke shkaktuan plagosjen e 4 punonjësve të IKMT-së në zonën e Astirit.

Ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 10;45 në rrugën “Teodor Keko”. Grupi i personave në fjalë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me gurë e sende të forta punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë, të cilët ishin duke bërë njoftimin e bizneseve që preken nga projekti i rrugës.

Si pasojë e sulmit me gurë dhe sende të forta mbetën të plagosur 4 punonjës të IKMT-së dhe 1 punonjës i Policisë. Gjithashtu, gjatë sulmit me gurë e sende të forta ndaj punonjësve të IKMT-së dhe punonjësve të Policisë, është dëmtuar edhe një automjet i Policisë.

Në lidhje me ngjarjen, specialistët e Komisariatit Nr. 2 të policisë në Tiranë, bazuar në pamjet filmike, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh.S., 50 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e 7 shtetasve: J.M., S.H., F.D., V.D., L.K., Sh.N. dhe G.S., të cilët pas sulmit mbi punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi E.D., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasit e mësipërm akuzohen për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.



Skip to toolbar