Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu u shpreh sot gjatë seancës parlamentare në Kuvend se punonjësit e policisë u dhunuan në protestën e drejtuar nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
Në replikë me Berishën, Koçiu iu drejtua Berishës me etiketimet “dhunues dhe gënjeshtar patologjik”.
“Siç ishe zotrote në spital, edhe unë isha në spital, por ti zgjodhe të mos shohësh policët, ti zgjodhe të mbyllje sytë. Shko shikoji edhe sot policët që ishin të shtruar, morën shërbim dhe janë edhe sot.
Je gënjeshtar patologjik! Përveçse je dhunues dhe porositës kronik i dhunës, i derdhjes së gjakut, e ke në gjen atë gjakun që do ta derdhësh me patjetër, përveç këtyre, mbyll edhe sytë dhe gënjen nga mëngjesi në darkë.
Zor pak nuk ke? Pse nuk i takove policët? Policët u dhunuan sepse u porosit dhunë nga ajo protestë që organizove. Të kesh turp që në vend që të kërkosh ndjesë dhe të distancohesh nga dhuna që u ushtrua ndaj punonjësve të policisë, vjen e thua nuk u godit asnjë.
Pak turp nuk ke? Prandaj të ka dënuar historia! I ke fantazmat aty, në dollap! Nuk ke marrë drejtësi deri më sot, por shpirtrave nuk u shpëton dot! Shpirtrave të të gjithë atyre që ke dhunuar, përgjakur, vrarë, nuk u shpëton dot, do të të ndjekin!”, tha Koçiu./abcnews.al
