Janë zbardhur detaje të reja dhe dinamika e ngjarjes ku mbetën të plagosur Plaurent Dervishaj, Julian Meçes dhe mikut të tyre Bashkim Haxhija. Sulmi ka ndodhur më 20 qershor 2019, nëse mendohet se në ngjarje janë përfshirë 5 persona, secili me një rol të mirëpërcaktuar. Autorët mendohet se janë paguar nga një grup kriminal i fuqishëm në Durrës, grup ky që ka si aktivitet parësor trafikun e heroinës. Sulmi i organizuar nga 5 personat dyshohet se janë nga Durrësi dhe Shijaku.
Atentati dyshohet se ka lidhje për një konflikt pronësie mes disa emrave të grupeve rivale në qytetin e Durrësit. Analizimi i të gjitha pamjeve filmike të sekuestruara në segmentin rrugor hedhin dritë se në atentatin mafioz kundër Plaurent Dervishaj, Julian Meçes dhe Bashkim Haxhija, kanë marrë pjesë pesë persona. Të 5 personat kanë pasur nga një detyrë të përcaktuar, që të gjithë me një rezultat final, eliminimin fizik të Plaurent Dervishaj dhe miqve të tij.
Në vendngjarje shfaqen 3 persona, ku dy prej të cilëve qëllojnë me plot 43 plumba kallashnikov në drejtim të makinës së “Range Rover”, ku ndodhej Dervishaj, Meçe dhe Haxhia. Ndërsa personi i tretë ishte drejtuesi i makinës së autorëve BMW, i cili i ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes.
Personi i katërt sipas Shqiptarja.com ka mbikëqyrur të gjitha lëvizjet që ka bërë Plaurent Dervishaj, nga Durrësi deri në momentin e mbërritjes në vendi ku u sulmua. Roli i personit të katër ka qenë ai i survejuesit dhe informimit të autorëve që do të kryenin eliminimin fizik të Plaurent Dervishaj.
Ndërsa personi i pestë ka qenë një person që ka qëndruar në pritje të mbërritjes së BMW në autostradën Durrës-Tiranë, në rrugën dytësore, i cili do të bënte të mundur largimin e autorëve për të humbur gjurmët dhe gjetjen e tyre nga policia. Pasi BMW ka mbërritur i është vënë flaka në rrugën dytësore nga 3 autorët dhe më pas janë larguar me makinën që i priste personi i pestë.
Edhe pse policia zotëron materialet filmike, ende nuk është bërë arrestimi i tyre. Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare. Plaurent Dervishaj, i cili është kunati i Lulzim Berishës, për më shumë se një dekadë ka qenë një nga personat më të kërkuar nga Interpoli.