“Pas vetos së presidentit francez, Emmanuel Macron, homologu i tij rus, Vladimir Putin, duhet të ketë porositur një gotë shampanjë”. Kështu është shprehur ish ministri bullgar i punëve të Jashtme, Solomon Passy, duke potencuar se fillimi i procesit negociues me të dyja vendet po prolongohet për së treti herë.
Ai ngre pyetjen se me këtë vendim “a po i shtyjmë Maqedoninë dhe Shqipërinë në duart e Rusisë, Turqisë, Iranit?” E për të përforcuar idenë e tij, diplomati rikthen në kujtesë atë që bëri presidenti Putin për të parandaluar Maqedoninë në rrugën e saj drejt NATO-s.
Ish ministri Passy tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut një ditë do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, por shtroi pyetjen se me cilën shpejtësi do të bëhet kjo. Sipas ish-shefit të diplomacisë bullgare, tani po bëhen përpjekje serioze që Serbia të mbetet në sferën e ndikimit rus.
“Çfarë mund të bëjmë me Macron dhe vendimin e tij joracional? Mendoj se Ministrja e Jashtme e Bullgarisë mund ta bindë atë ta ndryshojë mendim”, shtoi ai. Sipas tij, Bullgaria nuk ka asnjë interes që Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova të kthehen prapa.