Partizani dhe Tirana do të zbresin sot në “Air Albania”, ora 19:00 për të treguar forcën në këtë fillim sezoni, një sfidë që mbyll dhe javën e 6-të të “Abissnet Superiore”.
Të kuqtë në pesë javët e para janë treguar më konstant duke ruajtur vazhdimësi në lojë dhe rezultat, shoqëruar dhe me vendin e parë në klasifikim. Nga ana tjetër, bardheblutë kanë treguar luhatje, kjo dhe për shkak të ndryshimeve të shumta në grupin e lojtarëve, por që kanë ardhur në rritje.
E megjithatë, në një ndeshje të tillë ajo që vlen është paraqitja në ato 90 minuta, me mundësinë për ti dhënë një tjetër shtysë vazhdimësisë. Për trajnerin e të kuqve, Kolela është e qartë: “Nuk është ky derbi i parë në karrierë, kam luajtur edhe më parë, dhjetra të tillë, por sigurisht emocionet e derbit të parë të Tiranës ndihen. Derbi nuk luhet, por fitohet. E njëjta gjë është edhe në Itali. Në një ndeshje të tillë nuk vlen aspak pozicioni në klasifikim, në lojë janë të tre rezultatet”.
Edhe për trajnerin Shehi, e njëjta panoramë: “Dihet shumë mirë se çfarë adrenaline prodhon kjo sfidë. Jemi munduar që ta përgatisim sa më mirë, me aq ditë sa kemi pasur në dispozicion pas Kupës. Kjo dneshje është vitrina e futbollit shqiptar. Rivaliteti i madh ndër vite, statistikat kthehen herë në favor të njërës, herë të tjetrës. Statistikat nuk kanë ndikim pasi është histori e re që do të shkruhet përsëri. Stadiumi ka një domethënie të madhe si komoditeti që ofron dhe ambienti që shërben për lojtarët në fushë dhe tifozët”.
Në çdo rast, me çdo rezultat që do të prodhojnë 90 minutat në “Air Albania”, Partizani do të mbetet në vendin e parë, por sigurisht që një fitore do e bënte të ndihej akoma më komod. Për Tiranën një trepikësh do të ishte një katapultim drejt kreut, një tregues se skuadra ka marrë ritmin e duhur.