Djali i Biden pranon fajësinë për evazion fiskal

BOTA


Djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hunter Biden ka pranuar fajësinë në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij për evazion fiskal.

Për ekspertët kjo është një strategji e ngritur prej tij dhe ekipit mbrojtës për të shmangur një gjyq publik, pasi më herët kur u ngrit çështja, Hunter e kishte deklaruar vetën gjithnjë të pafajshëm.

Hunter Biden është djali i parë i një presidenti në detyrë që do të dalë në gjyq për akuza penale, por pranimi i fajësisë nuk do të thotë se gjyqtari do ta mbështesë atë dhe kështu do të shmangë gjykimin.

Marrëveshja mund të finalizohet vetëm me miratimin e  gjyqtarit të qarkut Mark Scarsi, i emëruar gjatë administratës së Donald Trump .

Avokati i Biden, Abbe Lowell, tha se klienti i tij donte të hiqte dorë nga një gjyq “për hir të interesit privat”, duke kursyer miqtë dhe familjen nga dëshmitë për diçka që ndodhi “kur ai ishte i varur nga droga”.

Gjykatësi Mark Scarsi tha se me pranimin e fajit, Biden përballet me një dënim maksimal prej 15 vitesh burg dhe gjoba që variojnë nga 500 mijë deri në 1 milion dollarë.

Hunter Biden është dënuar tashmë në qershor nga një juri në Delaware për blerje të paligjshme të një arme, kur ai luftonte varësinë ndaj alkoolit dhe drogës.



Skip to toolbar