Gjyqtari Andri Ymeri ka mohuar që të ketë ndonjë konflikt me ndokënd dhe ka deklaruar se nuk e ka idenë përse makina e tij është djegur. Mjeti tip “Benz” kishte disa ditë i parkuar afër kishës françeskane në Shkodër dhe dyshohet se autorët mund të kenë vëzhguar gjatë këtyre ditëve derisa kanë arritur ta djegin mjetin në fjalë. E gjithë skena e djegies është në vetëm pak sekonda dhe dy autorët e paidentifikuar zhduken menjëherë.
Gjyqtari Andri Ymeri është marrë në pyetje prej orës 08:15 të mëngjesit të së hënës. Në një dalje për mediat ai ka deklaruar se askush nuk mund t’i bëjë presion për punën e tij. “Gjyqtari duhet të jetë i përgatitur për çdo gjë. Nëse kam qenë unë objektivi, ta harrojnë se mund të më bëjnë presion për punën time. Nëse kam qenë unë objektivi për shkak të detyrës kam qenë. Ato që kam pasur për të thënë i kam thënë”, deklaroi gjyqtari për mediat. Ai nuk pranoi të fliste mbi hetimet, pasi funksioni i tij nuk ia lejon.