“Do të hapet, në një mënyrë ose në një tjetër”, paralajmërimi i fortë i Rubios

BOTA


Sulmet ajrore amerikane dhe izraelite goditën objekte ushtarake në Iranin qendror, dëmtuan një objekt fetar dhe shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike të martën, pasi Presidenti Donald Trump kërcënoi të hidhte në erë puset e naftës dhe termocentralet nëse Teherani nuk binte dakord së shpejti për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, ku përfshihej edhe hapja e Ngushticës së Hormuzit.

Por Wall Street Journal raportoi se Trump u tha këshilltarëve të tij ishte i gatshëm t’i jepte fund luftës edhe nëse rruga ujore mbetej kryesisht e mbyllur. Lidhur me pasojat nga bllokimi i ngushticës, presidenti i SHBA-së u dërgoi një mesazh të rëndësishëm edhe vendeve që nuk u përfshinë në luftën e Lindjes së Mesme, por që po përballen me mungesë karburanti. “SHBA-të nuk do të jenë më aty për t’ju ndihmuar, ashtu siç nuk ishit ju aty për ne. Irani, në thelb, është shkatërruar plotësisht. Pjesa e vështirë ka përfunduar. Shkoni merreni naftën tuaj në Ngushticën e Hormuzit!”– shkroi ai në median e tij sociale.

Për rrugën ujore, ku kalon gati 1/5 e naftës dhe gazit natyror të botës, reagoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit. Në një intervistë për Al Jazeera-n, Marco Rubio tha se komunikimi midis Teheranit dhe Uashingtonit është i vazhdueshëm, kryesisht përmes ndërmjetësve, duke shtuar se presidenti Donald Trump gjithmonë preferon diplomacinë, por e paralajmëroi Iranin për pasoja të rënda nëse vijon mbylljen e saj.

”Ngushtica e Hormuzit do të hapet në një mënyrë ose në një tjetër”, paralajmëroi Rubio duke theksuar se sovraniteti i Iranit mbi ngushticë është i papranueshëm.

Më herët, Trump publikoi pamje shpërthimesh nga Irani, ku sipas raportimeve bëhej fjalë për shkatërrimin e një depoje municionesh në qytetin Isfahan, pranë së cilës ndodhet edhe baza bërthamore Natanz, por Republika Islamike raportoi se sulmet në Iranin qendror kishin goditur disa objekte ushtarake, pa specifikuar vendndodhjet.



Skip to toolbar