“Do të përfundojmë me një vend të rrënuar”, iranianët reagojnë ndaj goditjes së urës

BOTA


Në një kohë kur Irani ndodhet nën breshërinë e sulmeve izraelito-amerikane, komunikimi me botën jashtë është pothuajse i pamundur. Mes ndërprerjes totale të internetit dhe kërcënimit me burg, banorët po përdorin rrugë ilegale për të treguar dëshpërimin e tyre.

Dëshmitë e mbledhura së fundmi nga mediat ndërkombëtare vizatojnë një tablo të zymtë të një popullsie që ndjehet e bllokuar mes dy zjarreve, një establishmenti që nuk e duan dhe bombave që po shkatërrojnë infrastrukturën e vendit të tyre.

Shkatërrimi i urës në Karaj ka qenë pika e kthesës për shumë banorë, duke ngjallur frikë se lufta nuk po synon vetëm objektivat ushtarake. Një vajzë rreth të 20-ave nga Teherani, përmes një mesazhi zanor ku dëgjoheshin lotët, shprehu pafuqinë e saj: “Ndjehem e pafuqishme. [Trump] publikon pa asnjë turp për sulmin ndaj urës sonë. Nuk e di deri ku do të shkojë kjo situatë. Pse askush nuk po i kundërvihet? Ai po na kthejnë vërtet në Epokën e Gurit,” u shpreh ajo, duke reflektuar frikën e një brezi që po sheh të ardhmen t’i shkatërrohet para syve.

Pavarësisht qëndrimit kritik ndaj regjimit aktual, banorët po përjetojnë një dhimbje të thellë për shkatërrimin fizik të atdheut të tyre. Një tjetër i ri nga kryeqyteti tregon ndjesinë e pashpresës:

“Ndihem i zhgënjyer dhe i trishtuar që jam në mes të një situate ku shoh Iranin të shkatërrohet dhe nuk mund të bëj asgjë. Do të përfundojmë me një vend të shkatërruar.”

Interesant është fakti se edhe ata që parimisht kanë mbështetur ndërhyrjen e huaj si mjet për ndryshim, kanë filluar të lëkunden pas goditjeve në infrastrukturën civile.



Skip to toolbar