Një autobus kosovar është bllokuar nga doganierët në Gjermani për shkak të një borxhi të akumuluar dhe ta pashlyer nga kompania kosovare, duke detyruar kështu pasagjerët që të zbresin nga mjeti transportit. Pasagjerët u detyruan të presin në Lindau të Bavarisë një autobus tjetër për të vazhduar rrugën, shkruan Dpa.de.
Sipas një zëdhënësi të Zyrës Qendrore të Doganave në Ulm, kompania që kishte në qarkullim autobusin në fjalë, i kishte borxh doganës plot 29.000 euro, transmeton albinfo.ch. Për këtë arsye doganierët e Landit Baden-Ëürttemberg e kanë ndaluar autobusin afër kufirit me Austrinë.
Pasagjerët (numri i tyre nuk dihet) ishin detyruar të prisnin disa orë derisa të vinte autobusi i tyre i ri për t’i marrë. Kompania kosovare ishte një “e njohur e vjetër” për doganierët, përcjell albinfo.ch. Në vitet e kaluara, sipas zëdhënësit të përmendur, dogana i ka konfiskuar edhe dy autobusë të tjerë, për t`i shlyer borxhet e krijuara.
Normalisht, kompanive mund t`u kthehen autobusët vetëm pasi të kenë paguar borxhin te Zyra Gjermane e Financave. Ndërsa nëse kjo nuk ndodh, brenda 14 ditëve, autobusi do të shitet në ankand.