Koha e pajisjes me dokumente identifikimi për emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të përgjysmohet.
Gjatë një vizite që ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi në kompaninë shtetërore të prodhimit të Dokumenteve te identifikimit, administratorja e “IdentiTek” tha se teknologjia po mundëson lehtësi në këtë proces.
“Qytetarët tanë të diasporës do të mund të marrin dokumentet e identifikimit jo më për 30 ditë, por për 15 ditë. Përveç kësaj kemi nisur proceset për ambasadat dhe konsullatat me fluks më të lartë të diasporës për t’u siguruar që çdo proces të kalojë në mënyrë të.”
Ministri Hoxha tha se për herë të parë marrin pjesë në votime zgjedhësit që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe për këtë duhet që konsullatat dhe ambasadat e vendit tonë të jenë në gatishmëri për pajisjen e tyre me dokumente identifikuese shqiptare.
“Një nga proceset më kryesore është aplikimi i shtetasve shqiptarë pranë konsullatave kudo ku ata ndodhen, sa i përket pajisjes me letërnjoftime dhe pasaportë. IdentiTek është në krye të këtij procesi, të cilin e drejton nëpërmjet grupeve të tij operacionale duke dërguar këto grupe pranë konsullatave dhe ambasadave të vendit tonë për një aplikim dhe për lehtësimin e këtij regjimi”.
Identitek ka marrë masa për burime njerëzore për t’i paraprirë fluksit që pritet të ketë para zgjedhjeve te 11 majit. Kapaciteti i plotë i prodhimit të dokumentave nga kjo kompani është 6 mijë pasaporta dhe 15 mijë karta identiteti në ditë./abcnews.al